Denver Broncos dhe Carolina Panthers do të jenë skuadrat që do të diskutojnë finalen e Super Bowl në National Football League, ngjarja më e madhe e sportit amerikan. Skuadra e Denver, për të arritur në këtë finale mposhti kampionët në fuqi të New England Patriots me rezultatin 20-18.
Ishte një ndeshje e rivalizuar kjo mes këtyre dy skuadrave, ku brenda saj ishte edhe sfida mes “quarter back”-ëve Payton Manning dhe Tom Brady, por në fund ai që triumfoi ishte Manning, i cili është drejt mbylljes së karrierës së tij. Gjatë kësaj ndeshjeje, Manning artriti të bëjë dy pasime për “touch down”, kundrejt një të rivalit të tij të hershëm. Në 12 sekondat e fundit, New England kishte në dispozicion një sulm me vlerën e 2 pikëve, që do ta çonte këtë ndeshje në kohën shtesë, por mbrojtja e Denverit nuk lejoi që kjo të ndodhë, duke siguruar kalimin në finale.
Në ndeshjen tjetër, Carolina Panthers e pati shumë më të lehtë sfidën e saj me Arizona Cardinals, ndaj së cilës fituan 49-15. Shkëlqeu në këtë ndeshje “quarter back”-u Cam Newton, i cili shënoi vetë 2 “touch down”, ndërkohë që dha edhe 2 pasime për “touch down”. Cardinals arriti të shënojë një “touch down” vetëm në periodën e dytë, por asgjë më shumë. Kjo skuadër e pati të pamundur t’i kundërvihet lojës së Panthers, që e sheh veten në finalen e Super Bowl për herë të dytë pas asaj të vitit 2004, ku u mund nga Patriots.
Finalja e madhe e Super Bowl mes Denver Broncos dhe Carolina Panthers do të luhet në 7 shkurt, në “Levi’s Stadium” të San Franciscos.
Top Channel