Një 34-vjeçare amerikane është nën gjykim në mungesë në Gjykatën e Tiranës për vetëgjyqësi pas kallëzimit të depozituar në Prokurori nga administratori i një shkolle private.
Kelah Rose Calloway, sipas qëndrimit të Prokurorisë, ka përvetësuar një aparat fotografik dhe një kamerë nga shkolla ku ishte e punësuar, pas këmbënguljes së saj se institucioni ku ishte e punësuar i detyrohej 500 euro. Por, nga ana e tij kallëzuesi pretendon se shuma i ishte dhënë 34-vjeçares si shpërblim pasi ajo kishte sjellë dy nxënës në shkollë dhe më pas ata janë larguar duke qenë se Calloway nuk kishte demonstruar etikë në klasë.
Sipas qëndrimit të Prokurorisë, duke qenë se mësuesja nuk i kishte kthyer mbrapsht 500 eurot, ajo ka premtuar se do të hapte një faqe Facebook-u në emër të shkollës të cilën do ta mirëmbante. Por pasi ka hapur një llogari në këtë rrjet social, mësuesja ka kërkuar edhe 500 euro të tjera, kërkesë e cila është refuzuar. Në fakt, kur pagesa e kërkuar nuk është kryer, thotë Prokuroria, 34-vjeçarja ka marrë nga shkolla sendet e mësipërme, në një kohë që ka mbajtur edhe fjalëkalimin e Facebook-ut.
Procesi i rrallë ka nisur në tetor 2015 dhe gjykata ka caktuar një avokat kryesisht nga shteti për shkak se Calloway është larguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prokuroria e Tiranës thotë në kërkesën për gjykim se pavarësisht se si është e vërteta për detyrimin e 500 eurove, e pandehura ka mbajtur në mënyrë të jashtëligjshme fjalëkalimin e Facebook-ut dhe sendet e shkollës dhe duhej t’i drejtohej për zgjidhjen e mosmarrëveshjes organeve kompetente.
Top Channel