Gjykata e Krimeve të Rënda la në fuqi masën “arrest me burg” të shpallur gati një vit më parë ndaj Baftjar Brukës, njëri ndër gjashtë të dyshuarit si të implikuar në vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe të tentativës për të shpërthyer lëndë plasëse pranë një stacioni autobusi.
Gjatë kësaj kohe, 25-vjeçari Bruka ka qenë i kërkuar nga policia, ndërkohë që u ekstradua të enjten e kaluar nga Stokholmi, ku edhe ishte kapur nga policia. Ai dyshohet, si edhe bashkëpunëtori i tij Vladimir Gjuta, për vepra me qëllime terroriste, krijim i organizatës kriminale dhe kryerje të këtyre veprave në kuadër të organizatës kriminale.
Ngjarja më e rëndë ka lidhje me shpërthimin e telekomanduar në farmacinë e Bashkim Tahirit, ndërsa zbardhja e ngjarjes u krye nga një kartë telefoni e përdorur. Vleftësimi i masës së sigurisë ndaj 25-vjeçarit u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërkohë që për këtë episod ndodhen nën masën e arrestit me burg të shpallur nga Gjykata e Krimeve të Rënda edhe 5 persona të tjerë.
Top Channel