Kontrolli shëndetësor, PD: U vodhën 1.7 mld lekë

22/01/2016 13:20

Partia Demokratike akuzoi drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për vjedhjen e 1.7 miliardë lekëve në 9 muaj në sektorin e shëndetësisë.

Deputetja Albana Vokshi doli para mediave me një tabelë, ku sipas saj, ka një diferencë të madhe mes shumës së paguar nga Fondi i Sigurimeve Shoqërore dhe numrit të qytetarëve që kanë përfituar nga shërbimi i check up-in.

Edi Rama, jo vetëm i dha 120 milionë euro mikes dhe bamirëses së tij, Vilma Nushi, me tenderin e check- up, por po e thellon akoma edhe më shumë korrupsionin, duke i rregulluar faturat që ajo t’i marrë shumat e plota edhe pse shërbimi nuk ofrohet. Shuma është 5 miliardë e 554 milionë dhe i bie që qenkan kontrolluar 318 mijë persona, duke e ditur se kostoja për një person është 17 mijë lekë. Por sipas të dhënave zyrtare nga institucioneve shëndetësore shtetërore, numri i të kontrolluarve është 216 mijë persona. Më e rënda është se Fondi i Sigurimeve Shëndetësore nuk ka ushtruar deri tani asnjë kontroll, por ka marrë të mirëqëna shifrat e Nushit. Pra Edi i ka dhënë Vilmës para sikur e kanë bërë check-upin 318 mijë persona. 1 miliardë e 700 milionë lekë më shumë se sa shërbimi që ka ofruar”, deklaroi Albana Vokshi.

Për të siguruar këto para, sipas Vokshit, ministri Beqaj shkurtoi me 600 vetë personelin shëndetësor dhe hoqi shpërblimin për ta.

“Kjo është një vjedhje skandaloze, kriminale e parave të shqiptarëve. Një fakt tronditës, për të cilin Edi Rama dhe Beqaj i tij duhet të japin llogari. Prokuroria duhet të veprojë para këtij korrupsioni me këto përmasa dhe lehtësisht të verifikueshëm. Partia Demokratike i kërkon organit të akuzës që të procedojë  me profesionalizëm e pa zvarritje, e ta çojë para drejtësisë këtë rast të rëndë korrupsioni, dhe përgjegjësin Ilir Beqa”, mbylli deklaratën e saj deputetja demokrate.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA