Në fjalën e mbajtur në seancën plenare të kësaj të enjteje, deputeti socialist, Ben Blushi deklaroi se 21 Janari akuzoi maxhorancën e djeshme se pesë vjet më parë nuk vrau vetëm katër protestues opozitarë, por reagimin kundër çdo qeverie.
“Duke mos pranuar që keni vrarë Aleksin, Ziverin, Hekuranin dhe Faikun, në fakt i keni vrarë dyfish dhe dëmi që keni bërë është më i madh. Keni ngjallur dyshimin se në Shqipëri, nëse proteston kundër Qeverisë edhe mund të vritesh. Ju shkurtuat listën e njerëzve që mund të reagojnë kundër Qeverisë”, deklaroi Blushi.
Deputeti socialist tha se pa frikë 21 Janari mund të hyjë në historinë e fitores së çdo qeverie kundër popullit të vet.
“E ka menduar njeri prej jush se çfarë do bënin këta 4 burra sikur të ishin gjallë sot? Unë them se do të kishin arsye prap ata që të dilnin në protestë sepse megjithëse u vranë arsyet për të protestuar nuk kanë mbaruar. Sot ata nuk munden sepse i vratë. Mund të kishin arsye të dilnin varfërisë dhe papunësisë, mund të kishin arsye të dilnin kundër ligjit të arsimit të lartë, që mbasë nuk mbron më interesat e fëmijëve të tyre sepse janë të varfër ata, por nuk dalin dot më me studentët sepse janë vrarë. Duke i vrarë më 21 Janar e kemi kthyer këtë ditë në një ditë aleate të çdo qeverie në Shqipëri. 21 Janari mund të shpallet si dita e fitores së çdo qeverie kundër popullit të vet”, deklaroi Blushi.
21 janari, Paloka: Do të dalë kush e dha urdhrin për plumbat
Duke dashur t’i japë fund debatit për ngjarjet e 21 janarit, kreu i grupit demokrat, Edi Paloka tha se drejtësia do të nxjerrë në shesh të vërtetën për ngjarjen e rëndë, ndërsa akuzoi maxhorancën e sotme se i përdorën njerëzit për të sjellë në pushtet Edi Ramën.
“Do dali se kush e dha urdhrin për plumbat. Janë dy të tjerë që e dini shumë miër që nuk ia nxorri as Ina Rama nga e morën plumbin. Unë s’kam pranuar të flas për këtë dhe sot në fillim të seancën thashë se drejtësia do të flasë. Ka shumë gjëra të tjera që ju i dini zotëri, dhe po është e vërtetë, amanetin tha Balla. Nuk është amaneti i tyre që të bëhej Rama kryeministër, as që të fusë miliona në xhep ky që foli (Balla), nuk besoj se dolën për ata. Ndërkohë ju keni bërë miliona, dhe vazhdoni talleni dhe për hipokrizi dilni një herë në vit këtu dhe bëni gjoja sikur ju dhimbsen. Mos vazhdoni më këtë farsë. E luajtët rolin dhe sot. Në vazhdim t’u tregojmë shqiptarëve për milionat që fusni në xhep”, tha Paloka.
Patozi: Debati për 21 janarin u mbyll me marrëveshjen e 1 prillit
Debati i vrasjeve të 21 janarit të pesë viteve më parë, për demokratin Astrit Patozi është një temë që mund ti vlente vetëm atyre që sot “kanë ndryshuar parti, koalicion apo qeveri”.
“Ky është debat krejtësisht i panevojshëm, sepse ne këtë debat e kemi bërë njëherë dhe e kemi ezauruar plotësisht. Nuk di të ketë ndodhur asgjë më tepër se 4 viktimat e 21 janarit të 5 viteve më parë. Ka qënë një debat politik që sot mund të vlente vetëm për ata që kanë ndryshuar parti, koalicion apo qeveri dhe jo ne të tjerët. Dhe unë nuk kam dëgjuar sot asnjë prej tyre. Është debat politik i mbyllur mes nesh. Po ky debat ka elementin e vet juridik dhe kur gjyqësori flet politika hesht. Asksush nuk ju pengon ju dhe as drejtësinë që të thotë fjalën e fundit”, tha Patozi.
Debati për 21 janarin tha Patozi ka edhe një element moral, që për demokratët është mbyllur njëherë e përgjithëmonë ditën e 1 prillit, kur u firmos marrëveshja e koalicionit mes PD e LSI.
“Ky debat ka një element moral, morali i këtij debati është mbyllur një herë e përgjithmonë ditën e 1 prillit kur ju firmosët koalicionin e turpit. Por ju e përdorni sot 21 janarin për të larguar vëmendjen nga problemet që ka sot Shqipëria”, tha Patozi.
Balla: Berisha do të shkojë në burg si vrasës dhe fshehës provash
21 janari vijon të ndezë debate të ashpra mes palëve në seancën parlamentare. Deputeti socialist Taulant Balla tha se Sali Berisha, si përgjegjës i ngjarjes do të shkojë në burg për vrasje dhe për fshehje të provave.
“Në emër të familjarëve të 4 të vrarëve mu kërkua të merrja fjalën dhe t’i kërkoja atij vrasësi që të paktën të heqë dorë nga balta e fyerjet, se jo vetëm ka përgjegjësi për vrasjen po dhe për fshehjen e provave. Sa për amanetin e katër të vrarëve, pjesën e parë e kemi vërë më 23 qershor, se nxorrëm atë vrasës nga zyra. Pjesa e dytë e amanetit është që Sali Berisha të shkojë në burg, dhe sigurisht që do të shkojë në burg për vrasjet e 21 janarit”, tha Balla.
Balla tha se janë gjyqëtarët që falën kreun e asaj kohe të gardës, Ndrea Prendin, dhe sigurisht “prokuroria e kapur” prej të djathtëve, pasi sipas socialistit Balla ende nuk e ka marrë në pyetje Sali Berishën për vrasjet dhe fshehjen e provave.
21 janari, Berisha: I vetmi përgjegjës është Edi Rama; reagon Braçe
Pesë vjet nga ngjarja e 21 janarit, ish kryeministri Sali Berisha bën sërish përgjegjës për vrasjen pasaardhësin e tij në pushtet, Edi Ramën. Ai e ka quajtur ngjarjen një përpjekje për përmbysjen me dhunë të pushtetit.
“Sot është një ditë tjetër e zezë e historisë sonë. Pas 84 vitesh si sot pesë vjet më parë falangat e krimit bën përpjekjen monstruoze të përmbytjes me dhunë të pushtetit të dalë nga vota e qyetarëve, organizuan puçin. Bëtë çdo gjë të merrnit me dhunë vetë pushtetin. Në këtë puç që kishte synim kurorëzimin e Edi Ramës njëlloj si 84 vite më parë çka nuk mund të ndodhte kurrë për fatkeqësinë e madhe u vranë 4 qyetarë. Do t’i jepnin disfatën e plotë që meritonte. Sot kanë kaluar 5 vite nga kjo datë, por turpi i zi, faqja e zezë dhe krimi i shëmtuar rëndon mbi Edvin Kristaq Ramën, dhe suitën e tij. Për tu thënë se kurrë ndonjëherë institucionet demokratike nuk mund të pushtohen me dhunë”, tha Berisha.
Braçe: 21 janari, krim shtetëror. Berisha përgjegjës
Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe u është përgjigjur deklaratave të ish-kryeministrit Berisha lidhur me 21 janarin, duke e bërë atë përgjegjësin kryesor për ngjarjen e 5 viteve më parë.
“Më 21 janar 2011 u vranë 4 qytetarë që nuk përbënin asnjë rrezik për institucionet. Për këtë krim, personi që nuk duhet të fliste është kryeministri i atëhershëm”, ka thënë Braçe.
Ai ka thënë se, Berisha është personi që duhet të japë një deklaratë zyrtare për ngjarjen, në cilësinë e personit që kishte marrë përsipër menaxhimin e shtetit.
Më tej deputeti socialist ka hedhur kritika edhe ndaj institucioneve të drejtësisë, që nuk kanë hedhur dritë mbi këtë ngjarje, ndërsa ka përmendur edhe rolin e ministrit të atëhershëm të Brendshëm, Lulzim Basha.
“Berisha dhe Basha kanë dhënë versione të ndryshme atë ditë dhe në 5 vitet që vijuan”, ka thënë Braçe.
Ai ka hedhur poshtë akuzat e atëhershme të Berishës se protestuesit u vranë nga elementë të armatosur të opozitës. “Ishte Garda e Republikës që me dashje, sipas një urdhëri, vrau 4 persona dhe plagosi të paktën 6 të tjerë”, ka thënë Braçe.
“Si ka mundësi që ti, si njeriu që drejtonte Kryeministrinë, që drejtoje planet për mbrojtjen e Kryeministrisë, nuk je paraqitur asnjëherë në prokurori për të dhënë deklaratën tënde”, i është drejtuar Braçe Berishës. “Ti kontrollon gjykatat dhe nuk lejon të bëhet drejtësi dhe reforma në drejtësi”, ka shtuar ai.
Por Berisha ka reaguar ndaj Braçes duke mos u tërhequr nga deklaratat e tij të mëparshme. “21 janari ishte puç i shtetit i planifikuar nga Edi Rama me 2-3 drejtues të institucioneve të vendit. Atë ditë bëra atë që duhet të bëjë çdo drejtues. Nuk mund të largohesha nga institucioni. Për atë që ndodhi ka deklarata të ndërkombëtarëve që dëshmojnë se kjo protestë dallonte nga të tjerat. Mes protestuesve kishte një grup të organizuar për ta kthyer atë në protestë të dhunshme. Thirrjet ishin ‘të rrezojmë Sali Berishën’. Por Sali Berishën s’e rrëzoni dot. Ju dilni këtu dhe derdhni lotë krokodili për ata që i çuat në grykën e zjarrit”, ka thënë Berisha.
Parlament, debat për rezolutën për Ibrahim Rrugovën
Seanca e të enjtes në Kuvend ka nisur me diskutimet për rezolutën e depozituar nga Partia Demokratike në 10-vjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës.
Teksa kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka tha se është i hapur për sugjerime për rezolutën, Erjon Braçe i PS-së e quajti të dobët nga ana e tekstit, dhe të panevojshëm, pasi të gjithë kanë shprehur vlerësimin për figurën historike të Kosovës.
“Ne e menduam në formën e një rezolute, por nëse ka diskutim siç ndodhi dhe në Konferencën e Kryetarëve, qoftë me kërkesat e kësaj rezolute për një shtatore të presidentit Rugova në Tiranë, ne jemi të hapur për t’i diskutuar dhe nuk mendoj se mud të bëhen shkak që ky parlament të mos ndërmarr një hap në 10-vjetorin e humbjes së presidenti Rugova për të treguar vlerësimin tonë ndaj një figure kaq të ndritur”, tha Paloka.
“Është në shpoporcion total qoftë në reshta, qoftë dhe në përbajtje. Për më tepër kur nuk ka ndodhur që shqiptarët të vendosin në diskutim legjitimitetin e veprimtarisë së presidentit Rugova siç ndodh më ëtë rezolutë që pas 10 vitesh nga ndarja nga jeta na tregon të vlerësojmë dinjitetin e Rugovës”, tha deputeti socialist Erjon Braçe.
“Unë besoj se teksti i paraqitur prej nesh i kësaj rezolute, arsyeja për të mos ndërmarë një hap sot në Parlament në 10-vjetorin e humbjes së jetës së presidentit Rugova nuk mendoj që pavarësisht fakteve, historisë që ka pasur dhe nga ata që e kanë quajtur tradhtar, po nuk po i hyjmë atyre. Hajde ta gjejmë mënyrën si të doni, daç me komision të jashtëm, daç me forma të tjera për ta ndërmarrë këtë hap”,tha Paloka.
“Teksti i turpshëm, i padenjë, as për fëmijë të klasës së 9-të. Së bashku me këtë kërkesën komunale përpara, që paska që nga maji i vitit 2014, që nuk zbatohet në bashkinë e Tiranës”, vijoi Braçe.
Debati mes tyre vijoi më pas për ngjarjet e 21 janarit. Teksa Braçe tha se PD duhej të shprehej për ngjarjet e 5 viteve më parë, ku mbetën të vrarë 4 persona, Paloka iu përgjigj se Braçe duhet tia bëjë këtë pyetje kryeministrit.
“Pas tre vitesh pushtet dhe shumë angazhimesh të marra për zbardhjen e 21 janarit, të viteve më parë, bën mirë që kolegu im pyetjet t’ia drejtojë kryetarit të tij të partisë, as parlamentit dhe asnjë tjetër, bile t’i bëj dhe ca pyetje shtesë.
Ka qënë në varësi tuaj dhe prokurorja e përgjithshme merrte urdhra nga ju. Nëse keni pyetje bëni mirë t’ia kërkoni kryetarit tuaj. Sa për drejtësinë ne e kemi shprehur qartazi vullnetin tonë”, u përgjigj Paloka.
Top Channel