Në fjalën e mbajtur në seancën plenare të kësaj të enjteje, deputeti socialist, Ben Blushi deklaroi se 21 Janari akuzoi maxhorancën e djeshme se pesë vjet më parë nuk vrau vetëm katër protestues opozitarë, por reagimin kundër çdo qeverie.
“Duke mos pranuar që keni vrarë Aleksin, Ziverin, Hekuranin dhe Faikun, në fakt i keni vrarë dyfish dhe dëmi që keni bërë është më i madh. Keni ngjallur dyshimin se në Shqipëri, nëse proteston kundër Qeverisë edhe mund të vritesh. Ju shkurtuat listën e njerëzve që mund të reagojnë kundër Qeverisë”, deklaroi Blushi.
Deputeti socialist tha se pa frikë 21 Janari mund të hyjë në historinë e fitores së çdo qeverie kundër popullit të vet.
“E ka menduar njeri prej jush se çfarë do bënin këta 4 burra sikur të ishin gjallë sot? Unë them se do të kishin arsye prap ata që të dilnin në protestë sepse megjithëse u vranë arsyet për të protestuar nuk kanë mbaruar. Sot ata nuk munden sepse i vratë. Mund të kishin arsye të dilnin varfërisë dhe papunësisë, mund të kishin arsye të dilnin kundër ligjit të arsimit të lartë, që mbasë nuk mbron më interesat e fëmijëve të tyre sepse janë të varfër ata, por nuk dalin dot më me studentët sepse janë vrarë. Duke i vrarë më 21 Janar e kemi kthyer këtë ditë në një ditë aleate të çdo qeverie në Shqipëri. 21 Janari mund të shpallet si dita e fitores së çdo qeverie kundër popullit të vet”, deklaroi Blushi.
Top Channel