Gjatë një procesi me dyer të mbyllura në Gjykatën e Tiranës, një 15-vjeçare, e cila është abuzuar seksualisht, ka denoncuar në sallën e gjykatës se pas arrestimit të autorit ajo është kërcënuar.
“Po ecja në rrugë, kur dikush më goditi në kokë dhe humba ndjenjat”, ky ka qenë rrefimi i cili e ka detyruar prokurorin e çështjes, Naim Tota, që në përfundim të seancës t’i kërkojë policisë që të kryejë verifikime dhe të marrë nën mbrojtje të miturën me inicialet R.K.
Vajza është dëshmitarja kryesore kundër një të riu, i cili po gjykohet që prej gushtit 2015 për veprën penale “marrëdhënie me dhunë me të mitur nën moshën 14 vjeç”.
Në procesin, për të cilin gjykata ka shpallur shqyrtimin me dyer të mbyllura, është nën gjykim shtetasi Ajet Bizgjoni, 27 vjeç. Sipas prokurorisë, abuzimi me vajzën ka nisur kur ajo ishte 14 vjeçe.
Në seancë e abuzuara tregoi se disa herë i pandehuri kishte kërkuar të lidhej me të, por ajo nuk kishte pranuar.
“Ai më rrëmbeu kur po shkoja në shkollë dhe me përdhunoi. Më mbajti një javë në Pogradec dhe më detyronte t’u thosha prindërve në telefon se kisha ikur me dëshirën time”, rrëfeu e mitura.
Top Channel