Policia e Vlorës ka arrestuar në flagrancë një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi kanë qëlluar me armë zjarri në ajër duke lëvizur me makinë nëpër qytet e duke shkaktuar panik tek qytetarët.
Autoritetet policore lokale njoftojnë se në pranga ka përfunduar shtetasi Ergest Sina, 24 vjeç dhe banues në Tiranë, ndërsa në kërkim është shpallur E.Gj, 31 vjeç dhe banues në Vlorë.
Sipas burimeve, ngjarja me protagonistë dy të rinjtë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, kur teksa udhëtonin në bordin e një automjeti tip “Porsche-Cayenne”, me targë “AA 964 HB” kanë hapur zjarr në sheshin Pavarësia dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Patrullat policore janë vënë menjëherë në lëvizje, duke lokalizuar fillimisht automjetin e dy të rinjve në lagjen “Isa Boletini” dhe duke bërë arrestimin në flagrancë të 24-vjeçarit Sina.
Ky i fundit rezultoi pozitiv ndaj testit të alkoolit, ndërkohë që në vendin e ngjarjes uniformat blu sekuestruan automjetin luksoz dhe një gëzhojë pistolete model 54.
Ndërsa i kanë kaluar prokurorisë së rrethit çështjen në ngarkim të Ergest Sinës, autoritetet policore po vijojnë kërkimet për bashkëpunëtorin e tij.
Top Channel