Apple, Samsung, Sony dhe të gjitha kompanitë e tjera globale të prodhimit të fjalës së fundit të teknologjisë janë vënë nën shënjestrën e Amnesty International.

Organizata akuzon kompanitë se “kanë dështuar në përpjekjet e tyre për të shmangur punën e minorenëve në nxjerrjen e mineraleve që shfrytëzojnë për ndërtimin e pjesëve themelore të pajisjeve që hedhin në treg”.

Në një raport të publikuar së fundmi, “AI” flet për minierat e kobaltit në Republikën Demokratike të Kongos. Raporti gjen fëmijë deri në 7 vjeç që punojnë në kushte të rrezikshme.

Kobalti është njëri prej elementëve kryesorë të prodhimit të baterive për telefonat celularë, tablete dhe kompjuterat “lap top”.

Të gjitha kompanitë zotohen se po aplikojnë politikën e “zero tolerancës” ndaj shfrytëzimit të fëmijëve.

Republika Demokratike e Kongos siguron mbi gjysmën e sasisë globale të kobaltit dhe sipas “Amnesty International”, punonjësit e minierave në këtë vend punojnë në kushte tejet të rrezikshme dhe vuajnë probleme shëndetësore afatgjata.

“AI” thotë se të paktën 80 minatorë gjetën vdekjen si pasojë e aksidenteve nga shtatori i 2014-s deri në dhjetor të 2015-s. Në raport jepen edhe dëshmi të fëmijëve që kanë punuar në miniera.

Njëri prej këtyre është Paul, një 14-vjeçar jetim.

“Kaloja deri në 24 orë në galeritë e minierave. Nisa të punoj kur isha 12 vjeç. Shkoja në mëngjes dhe dilja nga miniera mëngjesin tjetër. Çlodhesha nën tokë, ushqehesha nën tokë. Mamaja ime birësuese donte që të më çonte në shkollë, por babai birësues ishte kundër dhe më detyroi që të punoja në minierë”, rrëfen ai.

UNICEF deklaron se janë rreth 40 mijë fëmijë nga 7 deri në 16 vjeç që punojnë në minierat në jug të Republikës Demokratike të Kongos në kushte mizerabël.

Kompania e parë që ka reaguar në lidhje me raporti e “AI” ka qenë Apple.

“Ne nuk tolerojmë kurrë shfrytëzimin e minorenëve dhe jemi krenarë që jemi në ballë të luftës ndaj këtij fenomeni”, ishte deklarata e gjigantit amerikan të teknologjisë, duke publikuar edhe masat e marra prej saj nëse gjen që furnizuesi shfrytëzon minorenë për punë në miniera.

Këto masa parashikojnë financimin e rikthimit të minorenit në shtëpi, financimin e edukimit të minorenit në një shkollë të zgjedhur prej tij ose familjes së tij, vazhdimi i pagesës për të edhe gjatë viteve të shkollimit dhe garantimi i një vendi pune kur të arrijë moshën madhore.

Edhe Samsung reagoi duke deklaruar se ndjek politikën e “tolerancës zero” ndaj shfrytëzimit të fëmijëve dhe për këtë ndërmerr shpesh kontrolle në zinxhirin e furnizimit.

“Nëse gjendet një rast i shfrytëzimit të fëmijëve, atëherë kontratat me furnizuesin ndërpriten menjëherë”, thotë Samsung.

Sony u mjaftua me një deklaratë ku thotë se “po punon me furnizuesit për të adresuar problematikat që lidhen me të drejtat e punëtorëve dhe shfrytëzimit të minorenëve”.

Top Channel