Durrës, parandalohet krimi, arrestohen 3 vrasës me pagesë

19/01/2016 16:50

Vijimi i një konflikti të hershëm mes bandave rivale në zonën e Durrësit e Shijakut, të cilat deri më tani kanë shkaktuar disa viktima nga të dyja palët, në Shiqipëri e jo vetëm, është parandaluar mesditën e së martës nga Policia e Durrësit.

Tre persona: Gazmend Dervishi 38 vjeç, banues në Shkozet, Dritan Nikolli 38 vjeç, banues në Sukth, dhe Bruno Shehu 31 vjeç, të tre me të shkuar kriminale, janë vënë në pranga nga blutë e qytetit bregdetar, pasi dyshohet se kishin në plan vijimin e përplasjeve të armatosura mes këtyre bandave.

Në bazë të informacioneve të mbledhura në rrugë operative, mësohet se këta tre persona ishin kontaktuar nga njëra prej bandave me qëllim eleminimin e kundërshtarëve të tyre, kundrejt një shpërblimi monetar, vlera e të cilit ende nuk është saktësuar.

Duke shpjeguar dinamikën e ngjarjes, Polica e Shijakut evidentoi në afërsi të Fabrikës së Tullave në Maminas mjetin tip Benz, me xhama të zinj dhe targa gjermane, dhe është vënë në ndjekje të tij. Drejtuesi i mjetit, Gazmend Dervishi, nuk i është përgjigjur thirrjes së policisë për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi së bashku me Bruno Shehun dhe Dritan Nikollën. Ndjekja ka vijuar për rreth gjysmë ore, derisa është bërë ndalimi i tyre.

Gjatë kontrollit në automjetin tip Benz dhe në banesat e të arrestuarve në Durrës e Sukth, u gjetën dhe sekuestruan një automatik model 56, një pistoletë me mulli, dy krehëra me 60 fishekë, dy kapuça-maskë; doreza, 2 shishe me benzinë dhe 2 celularë. 

Të arrestuarit kishin planifikuar që pasi të kryenin aktin kriminal do të digjnin makinën me dy shishet e benzinës dhe do të largoheshin me një automjet tjetër. Për arsye hetimi, Policia e Durrësit nuk jep më shumë detaje se kush do të sulmohej nga të ndaluarit dhe se kush ishin porositësit e krimit, por është duke vijuar verifikimet për zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje të porositur, të mbetur në tentativë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA