WhatsApp ka hequr dorë nga regjstrimi me pagesë në shërbimin popullor të mesazheve. Deri tani, përdoruesi i ri pas një viti do t’i duhej të paguante 99 cent si abonim vjetor.

“Teksa jemi rritur, kemi kuptuar se kjo nuk funksionon mirë”, ka shkruar kompania në një postim në blogun e saj.

“Disa prej përdoruesve të WhatsApp nuk kanë numrin e kartës së kreditit apo debitit, dhe sigurisht që ishin të shqetësuar nëse pas një viti do të humbisnin aksesin të komunikonin me miqtë dhe familjarët e tyre. Kështu që në javët e ardhshme, ne do të heqim të gjitha pagesat në versionet e ndryshme të aplikacionit tonë dhe WhatsApp nuk do t’ju tarifojë për shërbimin tonë”, sqaron kompania.

Nëse jeni përdorues i vjetër i WhatsApp, të paktën prej 6 vitesh, ndoshta nuk e keni provuar tarifimin. Por vitet e fundit, përdoruesve të rinj u është kërkuar tarifimi vjetor pas një viti falas. Nëse tashmë e keni paguar abonimin vjetor prej 99 cent nuk do të rimbursoheni, por nuk do të tarifoheni më.

WhatsApp po arrin shifrën e 1 miliardë përdoruesve, kështu që heqja e barrierës së tarifimit, do i shërbente miliona të tjerëve për shërbimin mesazhor. Shërbimi në pronësi të Facebook, planifikon të shfaqet në fushën e gjenerimit të të dhënave nëpërmjet shërbimeve për biznesin

Kjo do të thotë se ju do të keni mundësi t’i dërgoni mesazhe WhatsApp bankës apo linjës tuaj ajrore në të ardhmen.

Top Channel