Parlamenti nis me “Dekoratat”, PD: Rezoluta jonë të futet në kalendar

18/01/2016 10:40

Sesioni i ri parlamentar që nis pasditen e sotme pritet të rikthejë debatet e ashpra mes mazhorancës dhe opozitës në sallën e Kuvendit.

Çështja e parë që do të përballë palët, është ajo e rezolutës së demokratëve për heqjen e dekoratave njerëzve që kanë shërbyer në kohën e komunizmit.

Kjo rezolutë nuk u pranua në sesionin e shkuar për shkak se nuk kishte ndjekur procedurë të rregullt parlamentare. Demokratët kanë këmbëngulur në konferencën e kryetarëve mbledhur këtë të hënë, që ajo të hyjë në kalendarin e punimeve të këtij sesioni.

“Ata nuk e pranuan me justifikimin se kanë depozituar një ligj të tyre për këtë çështje, po ligji nuk i përfshin të gjitha, ndaj ne do të depozitojmë rezolutën dhe do të kërkojmë që të votohet”, tha Edi Paloka, kreu i grupit parlamentar demokrat.

Në këtë sesion të ri kuvendor do të bëhet edhe rishikimi i kodit zgjedhor, përmes një komisioni parlamentar të posaçëm, ngritja e të cilit tashmë është miratuar nga Parlamenti. Demokratët kanë depozituar emrat e përfaqësuesve të tyre.

Bashkëkryetar i opozitës është propozuar Oerd Bylykbash, ndërsa socialistet nuk i kanë përcaktuar ende emrat e tyre në këtë komision. Përveç reformës zgjedhore, ky sesion parlamentar është parashikuar të shqyrtojë edhe çështjen madhore të reformës në drejtësi, por pikëpyetja mbetet e madhe për sa kohë politika shqiptare është ende shumë larg konsensusit.

Top Channel