Liderët e tri subjekteve opozitare në Kosovë janë takuar me strukturat partiake për t;i ftuar për mobilizim në protestën e radhës në Prishtinë, por nuk treguan se kur do të mbahet ajo.
Krerët e Vetëvendosje, AAK-së dhe Nisma thanë se opozita e bashkuar do të vazhdojë protestat deri në rrëzimin e qeverisë, krerët e së cilës, sipas tyre po krahasojnë qytetarët protestues të Kosovës me organizatën terroriste ISIS.
“Sa më shkurt Mustafa e Thaçi në pushtet, aq më shumë e aq më shpejt do të kemi shtet me sovranitet. Dhe këtë do ta arrijmë së bashku në sheshet, në rrugët e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera, për sa kohë që ky pushtet vazhdon ta mbajë të uzurpuar republikën tonë”, deklaroi kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.
“Pse është Kosova kështu, pse ne jemi bashkë, pse ne ishim me 9 janar në Prishtinë aq shumë e pse herën tjetër do të jemi edhe shumë dhe më të vendosur? Sepse ata që po vendosin për ne, për Kosovën, janë mashtrues, janë hileqarë dhe nuk janë të dinjitetshëm në detyrat dhe përgjegjësitë që kanë”, tha kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Në Kosovë nuk do të ketë më vend për ata që nga mëngjesi deri në darkë mashtrojnë e shpifin. Kosova më 9 janar çoi një porosi të qartë. Nëse ju drejtues që keni shkelur Kushtetutën refuzoni të jepni llogari për shkeljen kushtetuese, atëherë qytetarët e Kosovës më 9 janar thanë se refuzojnë të qeverisen nga ju”, u shpreh më tej Fatmir Limaj.
Pas disa javësh në arrest shtëpiak dhe paraburgim, në takimin e strukturave opozitare të shtunën mori pjesë edhe deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe deputetë të tjerë opozitarë.
Top Channel