I ftohti arktik në Shqipëri, temperaturat do të bien deri në -17 gradë

16/01/2016 00:00

Temperaturat që do të shoqërojnë vendin tonë në ditët e ardhshme do të arrijnë në nivele ekstremisht të ulëta, deri në minus 17 gradë në zonat malore, dhe kjo për shkak të një mase të ftohti me origjinë nga Arktiku që tashmë ka pushtuar Europën qendrore dhe një pjesë të asaj lindore.

I njohur ndryshe si “i ftohti arktik”, acari do të bëjë që ky dimër të jetë më i ashpri në vitet e fundit. Për këtë temë, e ftuar në studion e “Revistës Televizive të Mbrëmjes” ishte Rezarta Xhakollari, meteorologe në Top Channel. Ajo deklaroi se gjendja e motit në vendin tonë do të përkeqësohet në ditët e ardhshme.

Xhakollari tha se dita e martë dhe e mërkurë do të shënojë edhe temperaturat më të ulëta, nga -15 deri në -17 gradë në zonat malore, ndërsa ato maksimale do të jenë po në vlera negative, deri në -5 gradë.

Duke pasur parasysh këtë, Xhakollari ka ftuar qytetarët që të kenë kujdes pasi këto temperatura do të sjellin edhe probleme të ndryshme, duke përfshirë edhe atë të qarkullimit, pasi era e ftohtë do të konvertojë borën në akull.

Ajo tregoi edhe parashikimet për temperaturat që do jenë në vendin tonë duke filluar nga dita e sotme (e shtunë) deri në fundjavën e ardhshme. 

Intervista e plotë:

Ilir Paço: Si do të jetë moti në ditët në vazhdim?

Rezarta Xhakollari, meteorologe: Prej ditësh është paralajmëruar nga të gjithë meteorologët se një masë e ftohtë me origjinë nga Arktiku do të pushtojë Europën dhe vetëm ka pushtuar Europën Qendrore dhe gradualisht do të përfshijë edhe Gadishullin e Ballkanit, Shqipërinë, Kosovën edhe pjesën lindore.

Ilir Paço: Deri më tani cilat vende janë mbërthyer nga acari?

Rezarta Xhakollari: Skandinavia, ishujt britanikë, Europa Qendrore, Gjermania të cilët po përjetojnë një të ftohtë me borë dhe temperatura të ulëta prej disa ditësh, por edhe vende si Hungaria, ndërsa në këto momente kur po flasim ka reshje bore në Kosovë, Maqedoni dhe në pjesën veriore të Shqipërisë. Dita e premte është karakterizuar me një mot me reshje të dendura shiu, masat ajrore kanë qenë relativisht më të lagështa. Duke filluar nga dita e shtunë këto masa të ftohta do të drejtohen në Ballkan e do të përfshijnë edhe vendin tonë. E shtuna do të jetë një ditë me vranësira, reshje shiu dhe reshjet e borës që do të fillojnë në orët e para të mëngjesit, por në pjesën e dytë të ditës reshjet do të prekin pjesën më të madhe të Shqipërisë, pra në verilindje të territorit, në qytetet si Peshkopia, Kukësi, Tropoja, Burreli, pjesa juglindore, Korça, Pogradeci,  ndërsa ditën e diel parashikohet që të ketë reshje bore në të gjitha vendet me 200 metra mbi nivelin e detit që do të thotë se do të prekin edhe qytete të ulëta si Kuçova, Përmeti dhe Gjirokastra për shkak të luginës së Vjosës. Parashikohet që reshjet e borës të mos prekin vetëm qytetet bregdetare, përfshirë edhe Tiranën pasi është 94 metra mbi nivelin e detit. Do të kemi një rënie të ndeshje të temperaturave pasi ditën e hënë parashikohet të ndërpriten reshjet e dëborës në pjesën qendrore dhe vende të ulëta, pra të ketë vetëm në zonat malore, pra Peshkopi, Kukës, Korçë e Pogradec, por rryma të ftohta do të prekin të gjithë territorin dhe temperaturat do të zbresin poshtë 0-s dhe parashikohet  nga modele matematikore të qendrës europiane që në Peshkopi, Kukës, Korçë temperaturat minimale të mëngjesit të shkojnë deri në -15 gradë, ndërsa edhe temperaturat maksimale do të jenë në vlera negative. Kjo do të shkaktojë probleme pasi që do të ndërpriten reshjet do të konvertohet në akull.

Ilir Paço: Mendoni se do të ketë probleme në qarkullim, probleme me bojlerët e pafund që janë nëpër pallate sipër, kanë rrezik çarjesh ato?

Rezarta Xhakollari: Po, kjo është e vërtetë pasi ditën e martë dhe të mërkurë i gjithë vendi do të përfshihet në vlera negative, përfshirë edhe zonat bregdetare, pra edhe Vlora e Durrësi do të arrijnë vlera -2 deri në -4 gradë, ndërsa në Tiranë parashikohet që në mëngjesin e së martës do të arrijë -7 gradë celcius. Por, është edhe një fenomen tjetër që e shpjegojmë ne meteorologët që do të ketë edhe një erë të ftohtë verilindore dhe kur era është e ftohtë, por temperatura që percepton trupi i njeriut është disa gradë më poshtë, pra në qoftë se do të regjistrohet ditën e martë edhe -17 gradë në zonat malore, trupi i njeriut e percepton deri në -20 gradë celcius. Pra do të jetë java më e ftohtë deri më tani, pasi i ftohti mund të rikthehet sepse atmosfera është komplekse për t’u analizuar.

Ilir Paço: Pra, njerëzit duhet të mbështjellin edhe lulet që kanë nëpër ballkone sepse janë në rrezik?

Rezarta Xhakollari: Po, sepse temperaturat do të jenë shumë të ulëta. Ditën e mërkurë parashikohet që të spostohen gradualisht këto masa të ftohta dhe të afrohen masa më të lagështa dhe shtim të vranësirave, ndërsa për ditën e enjte është parashikim pak afatgjatë pasi Organizata Botërore e Meteorologjisë parashikon pesë ditë dhe sa më shumë rriten ditët e parashikimit aq më shumë rritet marshi i gabimit.

Ilir Paço: Në fundin e javës tjetër parashikohet që të ketë një rritje të temperaturave apo jo?

Rezarta Xhakollari: Jo, ditën e enjte parashikohet që të rikthehet i ftohti dhe reshjet e borës t’i afrohen Jugut të vendit.

Ilir Paço: A janë normale këto temperatura për këtë periudhë?

Rezarta Xhakollari: Jemi në stinën e dimrit, por ky i ftohti arktik mund ta quajmë “anormal” pa frikë për shkak se është shumë poshtë zeros, pavarësisht se jemi në muajin janar.

Ilir Paço: Pse ndodh kjo?

Rezarta Xhakollari: Atmosfera është komplekse për t’u analizuar dhe janë shumë faktorë që ndikojnë, por në dimër Europa ndikohet nga cikloni i Islandës i cili aktivizohet, tashmë ai është zgjeruar në pjesën më të ulët, masat e ftohta polare janë zgjuar pasi në muajin dhjetor kishte temperatura anormale se ishin të larta, pasi e gjithë Europa përjetoi Krishtlindje të ngrohta. Ne mund ta quajmë javën më të ftohtë pasi edhe temperaturat maksimale do të jenë në vlerën poshtë zeros. Këto temperatura do të sjellin një problem për komunitetin, duhet pasur kujdes ditën e  martë dhe të mërkurë pasi do të ketë vështirësi në qarkullim, themi Rruga e Kombit pasi temperaturat më të larta mund të jenë -5 gradë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA