Shteti Islamik merr përsipër autorësinë e sulmeve në Xhakartë

14/01/2016 13:05

Shteti Islamik ka marrë përsipër sulmet e kësaj të enjteje në Xhakartë të Indonezisë, ka raportuar një agjenci lajmesh e lidhur me grupin militant.

Nga ana tjetër, edhe policia indoneziane ka deklaruar se për sulmet që u morën jetën 7 personave dyshohet një grup lokal i lidhur me ISIS.

Presidenti indonezian i cilësoi ndërkohë atentatet si një “akt terrori”. “Mbajmë të gjithë zi për viktimat e kësaj ngjarjeje, por gjithashtu dënojmë aktin që ka cënuar sigurinë e paqen dhe ka përhapur terror mes popullit tonë”, deklaroi Joko Widodo.

Një seri shpërthimesh tronditën kryeqytetin indonezian këtë të enjte, të cilat u pasuan nga shkëmbime zjarri në rrugët e tij.

Shpërthimet ndodhën përreth Rrugës Thamrin, një lagje ku ndodhen zyrat e shumë bizneseve dhe ambasadave të huaja, përfshirë ato të Kombeve të Bashkuara.

Në orët e fundit policia lokale ka deklaruar se situata është nën kontroll, ndërsa ka saktësuar se nga 7 personat e vrarë, 5 janë autorët e atentateve.

Dinamika e ngjarjeve është ende e paqartë, por ajo që dihet me siguri është se shpërthimet kishin në shënjestër një kafene të grupit amerikan Starbucks dhe një postobllok policie.

Më pas rezulton se autorët hynë në ambjentet e Teatrit të Xhakartës, pjesë e kompleksit ku ndodhet dhe Starbucks. Agjentë të armatosur, snajpera dhe autoblinda u vendosën menjëherë në rrugët e kryeqytetit.

Një shkëmbim i dhunshëm zjarri shpërtheu menjëherë më pas, që zgjati disa orë dhe që çoi në vrasjen e 5 atentatorëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA