Kriza e urisë, tjetër autokolonë me ndihma drejt qyteteve siriane

14/01/2016 12:30

Një autokolonë e dytë ndihmash është drejtuar për në qytetin sirian të Madajës, ku prej javësh ka pllakosur kriza e urisë që ka detyruar banorët të hanë kafshë shtëpiake dhe bar për të siguruar mbijetesën.

BBC raporton në edicionin e saj online se rreth 40 kamionë që transportojnë miell, medikamente dhe produkte higjenike janë nisur nga Damasku mëngjesin e së enjtes.

Ditën e hënë, misioni i OKB-së për të drejtat humanitare konstatoi “kushtet e tmerrshme” në të cilat ndodheshin banorët e Madajës, që është i rrethuar nga forcat qeveritare dhe në brendësi i kontrolluar rreptësisht nga rebelët.

Ndërkohë, një autokolonë më e vogël është drejtuar për në dy qytete të tjera në veri-perëndim të vendit, Foah dhe Kefraja, edhe ato të kontrolluara nga rebelët.

Një zëdhënës i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq konfirmoi se kamionë të Kryqit, OKB-së dhe Gjysmëhënës së Kuqe siriane janë rrugës drejt Madajës.

“Prioritet është furnizimi i banorëve me miell dhe medikamente. Kryqi i Kuq është angazhuar në aspektin ushqimor të operacionit, duke qenë se rreth 400 banorë të qytetit vuajnë nga kequshqyerja”, deklaroi Pawel Krzysiek.

Ende nuk dihet nëse punonjësit e misioneve humanitare do të lejohen të evakuojnë banorët në nevojë urgjente për trajtim mjekësor, sikurse është kërkuar nga shefi i agjencisë së OKB-së për ndihmat humanitare.

Banorët e Madajës, qytet malor 25 kilometra në veri-perëndim të Damaskut, janë detyruar të hanë kafshë shtëpiake dhe bar për të mbijetuar.

Ditën e hënë atje mbërritën 250 tonelata ushqime dhe 7.8 tonë medikamente, ndihma e parë kjo e lejuar nga qeveria siriane që prej tetorit të kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA