Forcat speciale amerikane kanë zbarkuar në Irak për të kryer operacione kundër Shtetit Islamik, në kuadër të një përpjekjeje më të madhe për të goditur rrjetin terrorist.
Lajmin e ka bërë të ditur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, në një fjalim të mbajtur para rreth 200 ushtarëve në selinë e divizionit 101 të marinës.
Trupat speciale do të angazhohen në kërkimin e liderëve dhe militantëve kryesorë të ISIS, përveçse në Irak edhe në Siri. “Do t’i vrasim ose do t’i kapim kudo që të ndodhen”, ka deklaruar Carter.
Në fjalimin e tij të fundit në Kongresin amerikan, presidenti Barack Obama deklaroi se Shteti Islamik, por edhe Al Kaeda, përbëjnë një rrezik konkret për Shtetet e Bashkuara. “Së shpejti këta vrasës dhe fanatikë do të shkatërrohen”, tha Obama.
Një ditë më parë, në një sulm ajror të kryer në Mosul, aviacioni amerikan nuk goditi grupe militantësh, por një ndërtesë e mbushur me para që përdorej si depozitë nga këta të fundit.
Pesë ishin viktimat e bombardimeve, miliona kartëmonedhat e shkatërruara, thanë zyrtarë të mbrojtjes, që preferuan të ruanin anonimatin.
Top Channel