Rusia është gati të pajisë Serbinë me armatime të sofistikuara, ka deklaruar zv.kryeministri rus Dmitry Rogozin gjatë një vizite në Beograd.
“Ne jemi të gatshëm ta mbështesim aleatin tonë ballkanas me armatime, përfshirë këtu sistemin raketor tokë-ajër S300”, deklaroi Rogozin.
Ai bëri të ditur se Moska do ta shqyrtojë kërkesën e Beogradit për blerjen e këtyre armatimeve në një periudhë sa më të shkurtër.
Ambicjet e Beogradit për armatim janë intensifikuar pasi më herët Kroacia, vend anëtar i NATO-s, njoftoi planin e saj për të blerë raketa me rreze të gjatë veprimi, që mund të arrijnë Serbinë.
Në konferencën e përbashkët me zyrtarin rus, kryeministri serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se, Beogradi do të mbajë një qëndrim neutral ndaj Kroacisë, por nuk do të lejojë që Serbia të kthehet në një “shënjestër të lehtë”.
Ndërkohë, Rogozin, duke i prezantuar Vuçiç modelin S300, tha se, nëse Serbia do të kishte pasur një sistem mbrojtjeje ajrore në vitin 1999 do të kishte shmangur “shkatërrimin nga bombardimet e NATO-s”.
Serbia, një aleat tradicional i Rusisë, ka kërkuar zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por është përplasur në këtë drejtim me opozitën e fortë të nacionalistëve pro-rusë. Deri më sot, Serbia i ka rezistuar presioneve të Bashkimit Evropian për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Moskës.
Shumë qeveri perëndimore druhen se rritja e rolit politik, ekonomik dhe ushtarak të Rusisë në Serbi dhe në pjesën serbe të Bosnjes mund të destabilizojë Ballkanin, që ende nuk e ka marrë veten nga luftërat e viteve ’90. Serbët konsiderohen si aleatët e vetëm seriozë të Rusisë në rajonin e Europës jug-lindore.
Top Channel