Kosovë, erërat e forta shkaktojnë dëme në disa komuna

12/01/2016 13:45

Rënia e rrjetit elektrik, shkulja e çative të shtëpive, shembje muresh e probleme në furnizimin me ujë të pijshëm janë vetëm disa nga dëmet, që janë shkaktuar nga erërat forta që filluan mbrëmjen e së hënës dhe po vazhdojnë ende gjatë kësaj të marte në të gjithë Kosovën.

Ndër komunat më të dëmtuara nga këto erëra janë Lipjani, Malisheva dhe komuna e Podujevës.

Si pasojë e erës së fortë, në komunën e Lipjanit janë dëmtuar çatitë e shtëpive, si dhe janë rrëzuar disa shtylla elektrike.

Erërat e fuqishme kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në territorin e komunës së Malishevës. Era ka dëmtuar çatitë e shtëpive, shkollave, bizneseve, por edhe disa sera. Në njoftimin e komunës së Malishevës thuhet se, është dëmtuar çatia dhe një pjesë e shkollës në Mirushë.

Drejtoria për Mbrojtjen dhe Shpëtimin në komunën e Malishevës u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, pasi erërat po vazhdojnë dhe rreziku mbetet ende. Ekipet komunale të emergjencave janë në terren dhe po bëjnë inspektimin e gjendjes aktuale.

Dëme nga era janë shkaktuar edhe në Drenas, në shumë prona private dhe publike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA