Drejtësia, Manjani: Drafti, jo i shumicës

12/01/2016 15:05

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani sqaroi nga Lezha përse dikasteri që ai drejton hartoi një draft paralel me atë të ekspertëve të nivelit të lartë për ndryshimet kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi.

Hamendësimit se pas propozimeve kushtetuese që propozoi Ministria e Drejtësisë qëndron LSI-ja, Ylli Manjani i është përgjigjur se draftet nuk janë qëndrime politike, por janë produkte të punës së ekspertëve: “Është draft ekspertësh, të dyja draftet janë ekspertësh. Nuk janë propozime politike, por propozime ekspertësh, se po të ishin të mazhorancës, nuk do të quheshin ekspertë ata”.
 
Duke e mohuar disa herë ekzistencën e qëndrimeve të ndryshme brenda mazhorancës për reformën në drejtësi, Ylli Manjani tha se tashmë është koha që ekspertët të përballin draftet në komisionin e posaçëm të reformës, ku tha se edhe opozita mund ta ketë një të tillë: “Tani është momenti i procesit politik. Politika duhet të shqyrtojë të gjitha alternativat, që të kemi më të mirën”.  

Diskutimi në nivel politik i draftit të reformës në drejtësi është një qëndrim i mbështetur hershëm nga LSI-ja. Pas përfundimit të draftit të ekspertëve të nivelit të lartë dhe atij të Ministrisë së Drejtësisë, nuk ka asnjë pengesë për mbledhjen e komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi.

Ai ishte menduar të mblidhej gjatë kësaj të marte, megjithatë nuk pati asnjë shpjegim se përse nuk u mblodh ky komision, sikundër pritet të sqarohet se kur struktura e posaçme parlamentare e reformës do të nisë punë për shqyrtimin e drafteve të ekspertëve. Në rast të mbledhjes së tij, të pranishëm pritet të jenë vetëm përfaqësuesit e mazhorancës, pas largimit të opozitës dhe deklarimit të saj se nuk do të depozitojnë asnjë draft të tyre.

Nga Lezha ministri i Drejtësisë përshëndeti edhe investigimin e “Fiks Fare” për ciklin e emisioneve denoncuese për korrupsionin në gjykata: “Kanë mbështetjen time të gjithë prokurorët për të mos kursyer penën dhe prangat për këdo që bën zullume në zyrën e shtetit. Kushdo që abuzon, duhet të marrë përgjegjësi. Unë e falenderoj “Fiks Fare”-n sepse na ndihmon për të kuptuar situatën dhe për të luftuar korrupsionin”.

Top Channel