Drejtësia, Berisha: S’ka vota nga opozita për Ramën. Lu më garantoi për “Venecian”

12/01/2016 13:30

Ish-kryeministri Sali Berisha beson se, këtë të martë mund të kishte pasur një kompromis për reformën në drejtësi, nëse kryeministri Edi Rama nuk do të kishte hedhur poshtë një propozim serioz të ekspertëve të huaj, që në këtë legjislaturë, për shkak se mazhoranca i zotëron 3/5-tat e votave, Parlamenti të zgjidhte disa anëtarë institucionesh drejtësie me shumicën e 2/3-tave.

“Rrëzoi propozimin – për mua logjik, – që dëshmonte se asnjëra palë nuk ka synim ta kapë. Vazhdoni – tha ai, – me draftin e kulisave. Të gjitha këto me një qëllim, që Edi Rama të shpallej kryegjykatës dhe kryeprokuror. Rama është i pakorrigjueshëm, i papërmbajtur dhe i verbër në revanshin e tij. Me këto hapa ju them se ai vetëm sa po e pengon reformën”, tha Sali Berisha.

Ish-kryeministri u tregua i përmbajtur, kur komentoi rolin e ekspertëve të huaj dhe të ambasadorit amerikan, prej të cilit tha se, ka marrë garanci në mbështetjen e rekomandimeve të “Venecias”. Megjithatë, nuk e fshehu një pakënaqësi.

“Është naivitet i tmerrshëm të mos realizosh, se sarajet e Surrelit janë pengesa kryesore e reformës”, deklaroi më tej Berisha.

Sali Berisha u shpreh i bindur kundër zërave se, kryeministri Edi Rama ia ka dalë të bëjë marrëveshje me disa deputetë të opozitës, për miratimin e reformës në drejtësi pa pëlqimin e Partisë Demokratike.

“Deputetët e opozitës nuk i përkasin merkatos së krimit. Kjo që përhap Edi Rama është një formë presioni, ndaj vëllait armik në qeveri”, u shpreh ish-kryeministri.

Sali Berisha thotë se reforma do të bëhet, por jo siç e imponon Edi Rama.

“Njëanësia, absolutisht nuk jep reformë. Kjo është propagandë, por jo reformë. Reforma ka kushte të tjera zhvillimi. Kjo është një përpjekje e dëshpëruar e një njeriu, që nuk ka asnjë normë, asnjë standard, që do të kapë me çdo kusht drejtësinë, por që nuk do të mund ta kapë atë kurrë”, përfundoi Berisha.

*** Pasqyrimi më i plotë i fjalimit gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë

Sali Berisha akuzoi Edi Ramen se ai është penguesi i vetëm i një reforme të vërtetë në drejtësi, sepse siç thotë ish-kryeministri, Edi Rama ka qëllimin e vetëm të kontrollojë çdo pushtet.

“Reforma ka patur dhe ka një kundërshtar të egër dhe ky është Edi Rama. Vendosi procesin e reformës mbi baza korruptive. Emëroi ekspertë dhe në parlament individë në konflikt interesi. Rama është i pakorrugjueshëm dhe i verbër në revanshin e tij. Me këto hapa, ai vetëm po pengon reformën. Shuhen insitucionet që Edi Rama të bëhet kryegjyqtar dhe kryeprokuror”, tha ish-kryeministri.

Sali Berisha thotë se një nga shtyllat e skemës së Edi Ramës për të kontrolluar gjyqësorin është paracaktimi nëpërmjet neneve të reja në krye të disa institucioneve të reja të drejtësisë së njerëzve të afërt, por u rezervua. 

“Fatmir Xhafa është përfaqësues i klaneve të drogës me dokumenta. Derdhi në draft kompetenca që i ka vetëm ministri i Drejtësisë së Koresë së Veriut, omniprezent dhe omnipotent bëhej ministër i gjykatësve dhe prokurorëve. Xhafa me nene shpalli supergjykatës kunatin e tij, Sokol Berberi. Si? Më i vjetri i Gjykatës Kushtetuese do të marrë vend kryesor në drejtim të institucionit të verifikimit. Dvorani e bëri edhe ai nenin e vet aty, ku thoshte që më i vjetri i Gjykatës së Lartë merr këtë pozicion. Më i vjetri ishte militanti i PS dvorani”, deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri hodhi poshtë zërat se kryeministri Edi Rama po bën marrëveshje me disa deputetë të opozites për të kaluar ndryshimet kushtetuese në Parlament.

“Kam bindje se nga opozita Edi Rama nuk do të mund të garantojë asnjë votë. Deputetët e opozitës pavarësisht nga kundërshtitë që mund të kenë, nuk janë kriminelë që shiten e blihen, nuk i përkasin merkatos së krimit. Kjo që përhap Edi Rama është thjesht presion që i bën aleatit të tij në qeverisje. Është formë presioni ndaj vëllait armik në qeveri. Njëanshmëria, absolutisht nuk jep reformë. Kjo është propogandë, jo reformë, në shërbim të Edi Ramës, që nuk do të mundë ta kapë kurrë atë”, deklaroi Berisha.

Top Channel