Kanë mbetur vetëm 4 ditë nga skadimi i afatit që shoqatat ambientaliste maqedonase u dhanë zyrtarëve për të zgjidhur problemin me ndotjen e ajrit, e ndërkohë nuk është përmbushur asnjë nga kërkesat e dala gjatë protestës së 28 dhjetorit para qeverisë.
Përfaqësuesit e organizatave ambientaliste vlerësojnë se kërkesat e tyre nuk janë përmbushur dhe se ajri mbetet njësoj i ndotur dhe kancerogjen.
“Me vëmendje ndjekim sjelljen e autoriteteve dhe më 15 janar do të informojmë për veprimet tona më radikale nëse qeveria hesht ndaj kërkesave tona. Nuk heqim dorë nga e drejta jonë e garantuar me Kushtetutë për ambient të pastër”, kanë deklaruar për mediat përfaqësues të nismës qytetare “Dil për ajër”.
Sipas tyre, qeveria nuk ka të dhëna të sakta për ndërmarrjen e masave të duhura, gjë që tregon se kompetentët nuk kanë kapacitet që ta mbrojnë ambientin jetësor, ashtu siç parashihet me Kushtetutë.
Top Channel