Dorëheqja e Gruesvit nga posti i kryeministrit dhe mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve parlamentare të parapara për 24 prill të këtij viti, vazhdojnë të jenë tema kryesore në Maqedoni.

Zoran Zaev, lideri i LSDM-së, në një deklaratë për mediat ka pohuar se tani për tani nuk ka marrëveshje për shtyrjen e zgjedhjeve, por nuk e përjashton mundësinë që kjo gjë të ndodhë.
 
“Për momentin nuk ka marrëveshje konkrete për shtyrjen e zgjedhjeve të caktuara për 24 prill. Ndoshta në organizatat komunale kemi biseduar për afatet deri kur do të pastrohet lista zgjedhore ose do të gjendet marrëveshja për mediat. Për data konkrete do të diskutojmë në takimin me Johanes Hahn në Shkup, por kjo nuk do të thotë se zgjedhjet nuk do mund të mbahen në prill ose në qershor”, ka deklaruar Zaev.

Sipas liderit të opozitës, mund të ndodhë të arrihet pajtueshmëri se shtatori është koha ideale për mbajtjen e zgjedhjeve.
 
“Do mund të arrijmë në përfundim se kohë ideale për mbajtjen e zgjedhjeve mund të jetë shtatori. Për këtë gjë duhet që të diskutojmë me Komisionerin në Shkup dhe me partitë e tjera nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos. Nëse marr garanci të fuqishme se zgjedhjet do të jenë të lira dhe demokratike, ato mund të mbahen edhe me 24 prill”, përfundoi Zaev.

Top Channel