Qeveria e Kosovës ka dënuar “aktet e tmerrshme të dhunës të udhëhequra nga drejtuesit kryesorë të lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe Nismës për Kosovën sot në Prishtinë”.
“Duke respektuar të drejtën për protestë të ligjshme dhe paqësore, qeveria konsideron sulm të drejtpërdrejtë mbi rendin kushtetues të Republikës së Kosovës djegien e një pjese të objektit të qeverisë, goditjen dhe hedhjen e koktejit të molotovit mbi zyrtarët policorë dhe aktet e tjera të shumta të dhunës ndaj qytetarëve, pronës publike dhe private”, thuhet në një reagim për shtyp.
Ekzekutivi kosovar vlerëson se, “dhuna e shfaqur në këtë protestë është e organizuar nga humbësit e dëshpëruar të të gjitha zgjedhjeve në Kosovë, të cilët ambicjet e tyre politike po përpiqen t’i realizojnë me djegie të institucioneve legjitime dhe përmes zhytjes së vendit në krim e anarki”.
“Qeveria e Kosovës dënon po ashtu djegiet dhe rrënimet e kryera në Prishtinë, të prira dhe të nxitura nga kryetari i komunës së kryeqytetit dhe drejtuesit e tjerë politikë të emëruar së fundi në këtë institucion. Distancimi sa për sy e faqe nga dhuna ndaj institucioneve kushtetuese nuk i largon ata nga përgjegjësia”, vijon njoftimi.
Prishtina zyrtare konsideron më tej se, “kjo protestë që kishte për synim rrëzimin me dhunë të qeverisë dhe lënien e vendit në duart e personave të inkriminuar që sot i vunë zjarrin objektit të saj dhe policisë, ka po ashtu për qëllim prishjen e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, parandalimin e liberalizimit të vizave dhe proceseve tjera eurointegruese, si dhe pengimin e zhvillimit ekonomik të vendit”.
Qeveria e Kosovës shton se, “nuk do të lëshojë pe për shkak të presioneve kriminale, por do të vijojë punën me besimin e qytetarëve dhe me përkrahjen e vendeve mike”.
Top Channel