Jahjaga dënon dhunën: Protesta, e drejtë por edhe përgjegjësi

09/01/2016 16:35

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka dënuar ashpër “vandalizmin e pronës publike dhe përdorimin e mjeteve që vënë në rrezik jetën e qytetarëve të Kosovës dhe forcave të rendit”, duke iu referuar kështu veprimeve gjatë protestës së opozitës.

“Protesta është e drejtë e patjetërsueshme në çdo demokraci. Një e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe si mjet për të shprehur pakënaqësinë që nuk duhet të kontestohet nga askush. Por, kjo e drejtë vjen me përgjegjësi dhe zjarrvënia e sotme e institucioneve të vendit është plotësisht e papranueshme”, ka deklaruar Jahjaga.

Në reagimin e saj kryetarja e shtetit kosovar u ka apeluar protestuesve që të tregojnë përgjegjësi dhe ka bërë thirrje për qetësi.

“Ndërsa organizatorëve të protestës u kërkoj të distancohen nga këto akte dhe të ushtrojnë autoritetin e tyre që të ndalojnë dhunën në sheshet e Prishtinës”, ka thënë Jahjaga.

Nga ana tjetër, ajo ka kërkuar nga organet e rendit që t’i identifikojnë dhe t’i sjellin para drejtësisë individët apo grupet që përshkallëzuan situatën.

“E ripërsëris thirrjen time që zgjidhjet institucionale dhe gjuha e dialogut janë mënyra e vetme për të tejkaluar çfarëdo rëndimi të mëtejshëm të gjendjes. Këto zhvillime dhe mungesa e përpjekjeve për të gjetur një rrugë të mesme po na kthejnë në pikën zero dhe po lëndojnë përkrahjen që e gëzojmë në konsolidimin tonë si shtet i pavarur dhe sovran”, shton Jahjaga.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA