PD, Boçi: Rama, përgjegjës për përmbytjet dramatike

08/01/2016 14:10

Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Luçiano Boçi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si përgjegjës për “çdo tokë të përmbytur, çdo prodhim të çuar dëm dhe çdo shtëpi të mbuluar nga uji”.

“Me dorën e tij, Edi Rama ka hequr çdo vit miliona dollarë fonde të destinuara për kanalizimet, për t’i dërguar si pako dhurata për miqtë e klientët e tij, për luksin e tij dhe shpenzimet qeveritare. Çdo banor i Bregut të Matit, i Torovicës, i Ishmit, i Sukthit, i Shijakut, i Çermës, çdo banor i Rrrogozhinës, fshatrave të Elbasanit, të Lushnjës, Fierit, Dibrës, çdo i përmbytur këto ditë nga veriu në jug, duhet ta dijë se fatkeqësia natyrore nuk do të ishte kaq dramatike nëse nuk do të ekzistonte fatkeqësia tjetër më e rëndë, që quhet Edi Rama”, theksoi Boçi.

Asnjë punim në kanalizime nuk është bërë, edhe pse përvoja e afërt tregon se shirat sjellin përmbytje, edhe pse dihet se sezoni i reshjeve ishte në prag. Fondet për këto punime të domosdoshme në infrastrukturë janë dërguar nga Edi Rama në drejtim të interesave të tij klienteliste. Sapo erdhi në pushtet, Edi Rama hoqi 2.5 milionë dollarë për kanalizimet, ose 30%të gjithë fondit. Në shtator të vitit 2014, pikërisht para sezonit të reshjeve, Edi Rama hoqi 4.9 milionë dollarë për kanalizimet, ose e shkurtoi fondin me 40 përqind. Në fund të vitit që kaloi, zhduku sërish 4.2 milionë dollarë që ishin të destinuara për kanalizimet. Ndërkohë që në fushatë, Edi Rama premtoi se asnjë pëllëmbë toke nuk do të përmbytej më dhe tha se do të investonte 160 milionë dollarë për kanalizimet. Me të gjitha aktet e tij, ka treguar se është bashkautor i përmbytjeve dramatike”, shtoi deputeti demokrat.

Top Channel