Meta fton opozitën:Ekspertët të mbarojnë misionin, pastaj dialogu politik

08/01/2016 12:05

Tryeza e ekspertëve të nivelit të lartë për reformën në drejtësi u mblodh përsëri pa ekspertët teknik të opozitës të cilët kërkojnë zbatimin e rekomandimeve të Venecias dhe meqënëse tryeza e ekspertëve nuk pranoi propozimet e PD-së, kërkohet konsensus politik se si do të zbatohen rekomandimet.

Por Ilir Meta pas takimit të përjavshëm të Njësisë Koordinative të koalicionit qeversisës e ftoi opozitën të rikthehet në tryezën e ekspertëve të nivelit të lartë.

“Do t’u bëja thirrje që të mos bojkotojnë për një çështje të caktuar këtë punë kaq të rëndësishme sepse koha nuk pret, dhe të përfshihen deri në fund. Çdo mendim tjetër më pas, alternativ, ta diskutojmë në komisionin e përbashkët parlametar për reformën në drejtësi. Besoj që është bërë një punë e jashtëzakonshme, mbetet ende për t’u bërë dhe në këtë drejtim jemi fatlum sepse e kemi një platformë të përbashkët dhe është fryma e rekomandimeve të Komisionit të Venecias”, tha Meta.

Megjithatë Meta nuk i përjashtoi bisedimet politike.

“Nuk dua të hyj në teknikalitete që nuk më takojnë. Jemi në nivelin ku grupi i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtar ta përfundojë draftin e rishikuar mbi frymën e rekomandimeve të Venecias e më pas do të ecim dhe drejt atij procesi politik e parlamentar që është i domosdoshëm për të finalizuar këto ndryshime. Nuk bëhet fjalë për t’iu larguar tryezave politike, po ekspertët e opozitës të vazhdojnë punën. Çdo përpjekej për konensus arrihet duke u ulur bashkë dhe jo duke u larguar nga tavolina”, u shpreh ai.

Kryeministri Edi Rama pas takimit të njësisë koordinative iu drejtua selisë së presidencës, nga ku për më shumë se 90 minuta zhvilloi takimin e parë për 2016 me kreun e shtetit Bujar Nishani.  Ky është një takim në kuadër të bashkëpunimit institucional por reforma në drejtësi besohet se ka dominuar takimin.

Nuk dihet se çfarë qëndrimi ka mbajtur Rama pas ftesës së një dite më parë të Nishanit për një tryezë koordinative mes palëve. Një natë më parë, në pritjen me gazetarët, presidenti Nishani kritikoi mazhorancën se në hartimin e reformës në drejtësi ka përjashtuar tërësisht kryetarin e shtetit. Sakaq kryeministri Edi Rama duke dalë nga selia e PS, i pyetur nga Top-Channel nëse ai do të përfshihej në diskutime politike për ta zgjidhur ngërcin e krijuar në reformën në drejtësi, nuk dha asnjë përgjigje.

Top Channel