Libri i Hitlerit, debate në një klimë të re në Gjermani

08/01/2016 11:15

Është një prej publikimeve më të diskutuara të vitit. Nuk është një libër i ri e nuk është as i shkruar mirë. Por “Mein Kampf”-i i Adolf Hitlerit, apo “Lufta Ime”, që mbush sot për të parën herë pas 70 vjetësh raftet e librarive gjermane, padyshim po tërheq vëmendje.

Manifesti, një lumë urrejtjeje anti-semite, shihet si pararendës i Holokaustit, megjithatë është pikërisht kjo një nga arsyet përse historianët këmbëngulën në ribotimin e tij. Pjesën më të madhe të “Mein Kampf”-it, Hitleri e shkroi në mesin e viteve ‘20, gjatë kohës kur ishte në burg. Akademikët besojnë se libri ndihmon të shpjegohet më mirë ideologjia e çmendur e nazistëve kur morën pushtetin një dekadë më vonë.

Është me pak fjalë një tekst i rëndësishëm akademik. Jo i këndshëm për t’u lexuar, por thelbësor për të kuptuar holokaustin dhe sundimin brutal të Adolf Hitlerit.

Çuditërisht, ky edicion është mbështetur dhe nga disa grupe hebreje. Deri më tani, e drejta e autorit ishte në duart e qeverisë bavareze. Por meqenëse 70 vjet nga vdekja e autorit kaluan, atëherë ajo e drejtë skadoi. Gjermania mund ta ndalojë nëse dëshiron. Svastika dhe simbolet e tjera naziste ndalohen nga ligjet kundër nxitjes së dhunës. Por çështja me “Mein Kampf”-in është se bllokimi i tij mund t’ia shtojë akoma më shumë fuqinë. Ndalimi kategorik i librit do t’i hidhte benzinë zjarrit të propagandës neo-naziste që pretendon se Gjermania moderne i shtyp me këmbë disidentët e grupeve të ekstremit të djathtë.

Ekziston po kështu një lloj bindjeje se shpallja e librit të paligjshëm do ta shtonte misticizmin e tij. Teksti është aq jokoherent e i shkruar keq, sa vetë leximi i tij i heq joshjen e të konsideruarit të rrezikshëm dhe e zhvesh nga çdo pushtet. Problem më i madh është momenti i publikimit, që përkon me krizën e refugjatëve. Politika e hapjes së dyerve për emigrantët mbështetet në Kushtetutën e vendit: pas vitit 1945, ajo u hartua si reagim ndaj trajtimit brutal që Hitleri u bënte kundërshtarëve politikë, ndaj dhe neni 16a thekson se cilido i largohet shtypjes politike ka të drejtën të kërkojë azil në Gjermani.

Ky ishte dhe argumenti kryesor i Angela Merkelit; të mbyllësh kufijtë për emigrantët që i largohen luftrave do të thotë të ndryshosh dokumentin themeltar të Gjermanisë. Por ngjarjet e Këlnit mbrëmjen e ndërrimit të viteve e kanë vështirësuar pozicionin e Merkelit dhe mbrojtësve të tjerë të refugjatëve. 100 gra u sulmuan seksualisht në këtë qytet dhe agresorët, sipas dëshmitarëve, ishin që të gjithë me origjinë arabe apo afrikano-veriore.

Për ekstremistët e djathtë, ky është rasti ideal që të rindezin ndjenjat e ksenofobisë me një moto të hershme naziste: vasha e pastër gjermane që abuzohet nga të huajt. Në vitin 1930, të huajt për nazistët ishin hebrenjtë, për neo-nazistët sot, këta të huaj janë myslimanët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA