Apple ka blerë Emotient, programin që përdor inteligjencën artificiale për të lexuar emocionet duke analizuar shprehjen e fytyrës.

Lajmi bëhet i ditur nga Wall Street Journal, duke cituar disa burime. Por nuk dihet çmimi i blerjes. Emotient është një shoqëri që përdor sistemet e njohjes së fytyrës dhe është në gjendje të lexojë emocionet në pamjen e personit.

Programi është përdorur dhe nga mjekët dhe studiuesit për të kuptuar cilat janë shenjat e dhimbjes tek pacientët e tyre. Selia e tij është në San Diego të Kalifornisë dhe më herët ka tërhequr 8 milionë dollarë investime, edhe nga Intel.

Apple nuk është e vetmja kompani që ka investuar në Inteligjencën Artificiale. Mes tyre është dhe Google dhe Facebook. Së fundmi  Mark Zuckerberg ka bërë të ditur se mes planeve të tij për 2016 është pikërisht dhe vullneti që të ketë për ndihmë një sistem të inteligjencës artificiale si në detyrat e përditshme, edhe në punë.

Top Channel