Nuk duhet të dalësh shumë larg Tiranës që të përballësh me pasojat e rënda të përmbytjeve. Kreu i opozitës, Lulzim Basha gjeti një gjendje të vështirë në zonat që rrethojnë Durrësin.
Në Sukth, Katundin e Ri dhe në Fllakë, përmbytjet kanë prekur mbi 1200 familje dhe deri në drekë, kur këto zona i vizitoi Lulzim Basha, niveli i ujit ka arritur edhe në një metër e gjysmë.
Familjet që kanë mbetur pa u zhvendosur, për shkak se janë izoluar nga vërshimi i lumit, iu ankuan kreut të opozitës për indiferencë të autoriteteve shtetërore.
Banorët thonë se nuk e kanë përjetuar asnjëherë këtë situatë dhe se nuk janë përmbytur as kur ka patur reshje të dendura shiu me ditë të tëra.
Duke qenë se gjithçka ka ndodhur papritur rreth orës 3 të mëngjesit, banorët tregojnë se prurjet e vrullshme të ujit kanë marrë përpara bagëtitë.
Aty ku ishte Lulzim Basha është vënë re prania e ushtrisë dhe kreu i opozitës inkurajoi forcat ushtarake të japin çdo ndihmë për banorët.
Dikush nga një zonë e përmbytur aty pranë e telefonoi ndërkohë që po udhëzonte banorët që të zhvendosen dhe të bashkëpunojnë me autoritetet shtetërore.
Top Channel