Një raport i ri nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK) bën të ditur se në Siri mund të jetë përdorur gazi sarin, megjithëse nuk është e qartë se kur dhe në çfarë rrethanash ai është përdorur.
Një grup i organizatës ka thënë se ka hetuar 11 incidente të përdorimit të kimikateve toksike të raportuara nga qeveria siriane. Mbi këtë raport u njoftua edhe Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara këtë të martë.
“Në një rast analiza e disa mostrave të gjakut tregon se individi ka qenë i ekspozuar ndaj gazit sarin. Një hetim i mëtejshëm do të zbulojë se kur dhe në çfarë rrethanash ai mund të jetë përdorur”, thuhet ndër të tjera në raportin e fundit të ONAK.
Në raportet e mëparshme të ONAK mbi Siri është theksuar përdorimi i klorit dhe i gazit mustardë.
Regjimi i Presidentit Bashar al-Assad dhe forcat rebele kanë akuzuar njëri-tjetrin për përdorimin e agjentëve kimikë në luftën gati 5-vjeçare që ka vrarë më shumë se 250.000 njerëz.
Pas sulmit te gushtit te vitit 2013, Assad pranoi pas presionit të ndërkombëtarëve shkatërrimin e armëve kimike. Në raportet e OKB u tha se 99.6% e armëve kimike të deklaruara në Siri është shkatërruar.
Top Channel