Barack Obama përgatitet t’i japë dritën jeshile shtimit të kontrolleve për blerësit e armëve si pjesë e një serie masash që synojnë frenimin e dhunës së armëve. Këto plane, presidenti amerikan do t’i bëjë publike personalisht gjatë ditës së sotme, megjithë kundërshtimin e pritshëm të shumicës së ligjvënësve republikanë dhe kandidatëve republikanë për president.
Të gjithë shitësit e armëve, si ata që kanë dyqane, ashtu dhe ata që veprojnë “online”, do të duhet të verifikojnë të dhënat e blerësve potencialë përpara se të realizojnë shitjen. Kundërshtia e parë e hapur erdhi nga kandidati presidencial Rand Paul, i cili e tha qartë se veprimet ekzekutive të Obamës do t’i luftojë me “mish e me shpirt”. Disa prej rivalëve të tij republikanë thanë dhe ata se “që në ditën e parë që do të shkelin në Shtëpinë e Bardhë, nëse arrijnë ta fitojnë presidencën, nuk do të bëjnë gjë tjetër veçse do të fshijnë vendimet e Obamës.
Fokusi i presidentit mbi dhunën me armë vjen pas një serie sulmesh vdekjeprurëse në mbarë Shtetet e Bashkuara në vitet e fundit, duke përfshirë masakrën e muajit të kaluar në San Bernardino të Kalifornisë, ku humbën jetën 14 persona. Në mbarë Amerikën, kujton presidenti, të mbijetuarit e dhunës nga armët dhe ata që kanë humbur një fëmijë, një prind, ose një bashkëshort shënojnë përvjetorët e këtyre ngjarjeve të tmerrshme çdo ditë, por Kongresi ende nuk ka bërë asgjë për të parandaluar atë që u ka ndodhur atyre dhe familjeve të tjera.
Njoftimi i masave ekzekutive vjen pas takimit që zhvilloi, siç pat paralajmëruar të hënën, me Prokuroren e Përgjithshme Loretta Lynch dhe drejtorin e FBI-së Jame Comey. Duke vepruar përmes urdhrave ekzekutivë, Presidentit nuk i nevojitet mbështetja e Kongresit të kontrolluar nga ligjvënës të Partisë Republikane, shumica e të cilëve i kundërshtojnë kufizimet ndaj armëmbajtjes.
Megjithatë, mundësia që veprimet e tij të përballen me sfida ligjore nuk përjashtohet. Çështjen e kontrollit të armëve shefi i Shtëpisë së Bardhë do ta diskutojë në një takim me qytetarët të organizuar nga kanali televiziv CNN, ngjarje kjo që vjen disa ditë përpara se ai të mbajë fjalimin e fundit në një sesion të përbashkët të dy dhomave të Kongresit mbi gjendjen e vendit, më 12 janar.
Top Channel