Opozita kosovare fton të rinjtë në protestë

05/01/2016 17:30

Udhëheqësit opozitarë në Kosovë takuan këtë të martë të rinjtë e Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

Situata e krijuar në Kosovë dhe zhvillimet e fundit politike ishin tema të takimit, teksa para të rinjve, kryetari i VV tha se gjendja është aq alarmante, saqë viti pritet të fillojë më 9 janar, kur opozita do të protestojë masivisht.

“Kemi vendosur të ndërhyjmë në kalendar. Natyrisht është vendim arbitrar, megjithatë është ndërhyrje në kalendar, sepse viti i ri 2016 nuk filloi si të githa vitet, më 1 janar. Kemi vendosur kështu, sepse kështu e ka kërkuar Republika. Kemi marrë edhe një vendim tjetër, mbase nuk do t’iu pëlqejë, por mendoj se është i mirë. Vendimi është: ky vit i ri nuk ka babagjyshër, sepse të tillë jemi ne të gjithë”, tha Visar Ymeri, kryetar i LVV-së.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se, Bashkimi Europian duhet të turpërohet për gjendjen e keqe, në të cilën ndodhen të rinjtë kosovarë tani. Ai pati edhe një kërkesë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne u bëjmë thirrje të vazhdueshme edhe miqve tanë amerikanë, sepse ne shohim tek ata, mikun që na ka ndihmuar në kohë të vështira. I lusim të mos bëjnë gabim, por të gjithë së bashku të lejojmë qytetarët e Kosovës të vendosin për veten e tyre. T’i mundësohet qytetarit të Kosovës të marrë vendime. Qytetari kosovar i do miqtë, i respekton fqinjët, por është i vendosur të mos lejojë një ‘Republikën Serbe’ në Kosovë. Me dokumentet e Murat Mehës është e lehtë të gjendet se gjithçka është në përputhje te marrëveshja me Malin e Zi, por po u shkarkua Murat Meha, brenda 24 orëve gjendet e vërteta tjetër”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Ndërkohë, kryetari i “Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj tha se Gjykata Kushtetuese ka vërtetuar se kauza e opozitës ishte e drejtë, teksa ka ftuar qytetarët për përkrahje.

“Rrihet rinia e Kosovës sot për ta kthyer Serbinë në Kosovë, ashtu siç është rrahur rinia e Kosovës në ’81-shin për ta larguar Serbinë nga Kosova. Por ne nuk do ta lejojmë këtë, prandaj ju ftojmë të punoni deri më 9 janar dhe të gjithë së bashku, të rinj pa dallime politike, të bashkohemi në këtë kauzë të shenjtë. Të dalim në mbrojtje të shtetit dhe të kërkojmë largimin e kësaj qeverie, e cila e ka shkelur Kushtetutën, e në këtë mënyrë të hapet një perspektivë e re për vendin tonë”, tha Fatmir Limaj, kryetar i “Nismës për Kosovën”.

Tubimi me të rinjtë opozitarë në Prishtinë nisi me një video, ku u paraqitën premtimet e koalicionit qeveritar, si vendet e reja të punës, heqja e barrikadës mbi lumin Ibër, anëtarësimi në UNESCO, liberalizimi i vizave, për të cilat opozita tha se janë vetëm disa nga premtimet dhe deklaratat e pavërteta, për mosrealizimin e të cilave ata duhet të japin llogari.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA