Shqipëria ka shënuar në vitin 2015 numrin më të ulët të vrasjeve në periudhën postkomuniste. 54 vrasje të ndodhura në vitin 2015, ku një pjesë të madhe sërish zënë ato të krimit në familje dhe të grindjeve të çastit. Numri i vrasjeve për gjakmarrje është zero, ndërsa e klasifikuar për hakmarrje është vetëm një.
“Janë evidentuar gjatë vitit 2015 plot 54 vrasje, që përbëjnë numrin më të ulët absoltisht, krahasuar me çdo vit të 25 viteve të fundit. Gjë që nga njëra anë është tregues i punës pozitive të Policisë së Shtetit, e nga ana tjetër është një detyrim i shtuar për ne për të ruajtur këtë tendencë suksesi edhe këtë vit, por edhe vitet në vijim”, u shpreh ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Në Shqipëri u arrestuan 11 mijë persona në 2015-n.
“Gjatë vitit 2015 janë ndaluar dhe arrestuar 11 mijë e 461 persona, nga të cilët 6098 janë në masë arresti me burg. Janë 18,3% më pak vjedhje me armë, janë 16,6% më pak vjedhje prone, janë 33,7% më pak shkatërrim prone me eksploziv”, vijoi më tej ministri Tahiri.
Ministri i Brendshëm, duke bërë një analizë të 2015-s të punës së Ministrisë së Brendshme radhiti të gjitha kallëzimet penale që ka bërë. Qëllimi kryesor i këtyre kallëzimeve ka qenë “21 Janari”. Ndërsa për Lulzim Bashën, Prokuroria nuk i hapi hetimet, për ish-drejtuesit e tjerë të saj ajo i mban të hapura.
I pyetur për vetëdorëzimin në Policinë e Tiranës, të të dyshuarit për vrasje në Shkodër teksa policia e kërkonte në veri të vendit, ministri tha se policia e bëri detyrën e saj.
“Mos u mjaftoni me informacionin e pjesshëm që keni. Në këto kushte policia e ka të vështirë të japë më shumë informacion se aq, por të jeni të sigurtë se Policia e Shtetit ka bërë detyrën më së miri për kapjen e autorit brenda 48 orëve. Nëse do të më thoni që u dorëzua dhe nuk u kap, ky është një debat që unë refuzoj ta bëj. Të jeni të bindur që nuk ishte surprizë për Policinë e Shtetit, që ai ishte në Tiranë. Kaq mund t’iu them”, përfundoi konferencën për shtyp Saimir Tahiri.
Top Channel