Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka deklaruar se Austria ka aplikuar pranë Organizatës Ndërkombëtare të Telekomunikacionit (ITU) për kodin telefonik të Kosovës, në pajtim me marrëveshjen e Brukselit për telekomunikacionin.
Tahiri ka thënë përmes një komunikate për media se konfirmimin zyrtar për aplikimin e Austrisë për kodin telefonik të Kosovës e kanë marrë nga Bashkimi Evropian dhe nga Ambasada e Austrisë në Kosovë.
Ministrja Edita Tahiri tha se kodi telefonik i Kosovës do të jetë +383 dhe marrja e kodit ndërkombëtar nga ITU, sipas Tahirit, i mundëson Kosovës njohje dhe sovranitet ndërkombëtar në fushën e telekomunikacionit. Kodi telefonik ndërkombëtar i Kosovës, sipas ministres Tahiri ka rëndësi të shumëfishtë për shtetin, si në planin politik, ekonomik dhe të sigurisë dhe do mundësojë shërbime më cilësore dhe me kosto më të favorshme për qytetarët. Sipas Planit për zbatim të marrëveshjes së Brukselit, ITU do t’ia alokojë kodin telefonik Kosovës në pjesën e parë të muajit mars 2016.
Tahiri ka sqaruar se kodi i ri unik +383 i Kosovës do të përdoret në tërë territorin e vendit dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse. Ministrja për dialog ka thënë se me kodiun e ri telefonik, Kosova do të ketë edhe përfitime ekonomike, pasi sipas saj, operatorët nuk do të jenë të detyruar që të paguajnë kosto të larta financiare, të cilat direkt i atribuohen mungesës së kodit, e që reflektohen edhe në ofrimin e shërbimeve më cilësore dhe më të lira ndaj konsumatorit.
Kostot e përgjithshme të shkaktuara deri më tani nga mungesa e kodit telefonik kanë arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.
Top Channel