Identifikohen britanikët në videon e ISIS-it

05/01/2016 11:00

I ashtuajturi “Xhihadisti i ri John”, personi që shfaqet kërcënues në videon e fundit të lëshuar nga Shteti Islamik, ku ekzekutohen pesë pengje, sipas medias është britaniku Siddharta Dhar, me banim në Londrën lindore, i cili ka udhëtuar në Siri bashkë me gruan dhe katër fëmijët e tij.

Ai është identifikuar nga shërbimet serkete, ndërkohë që mësohet se ka mundur t’i ikë policisë 24 orë pasi ajo e kishte liruar me kusht në vitin 2014.

32-vjeçari i lindur në një familje indiane njihet si fanatik dhe pjesëtar i një grupimi islamik të ndaluar dhe mendohet se ai ka qenë bashkëpunëtor me personin që vrau në Londër jashtë kazermave ushtarin britanik Lee Rigby.

Ndërkohë, edhe fëmija 5-vjeçar që shfaqet në videon e ISIS-it konfirmohet nga gjyshi i tij 59-vjeçar se banon në Londër. Ai është fëmija i Grace “Khadija” Dare, një të krishtere të konvertuar në ekstremiste nga Londra juglindore.
 
Gjyshi i fëmijës i bën thirrje nënës së fëmijës, e cila është vajza e tij, të kthehet në Londër. Ajo ka lindur e krishterë, por ndërroi fenë pasi u lidh me xhihadistin suedez Abu Bakr, i cili besohet se është vrarë në Siri pasi shkuan atje në vitin 2012.

Ndërkohë, kryeministri britanik David Cameron e cilësoi videon propagandistike të ISIS-it si një “gjest dëshpërues” të një grupimi që “po humbet territor dhe simpatinë e të gjithëve”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA