Në një vit, tragetet e linjave të lundrimit nga Durrësi drejt porteve të Italisë dhe anasjelltas kanë regjistruar më pak lundrime se viti paraardhës, ndërsa sasia e mallrave të transportuara ka njohur rritje.
Sipas statistikave operative të Autoritetit Portual të Durrësit gjatë vitit që lamë pas tragetet janë shfrytëzuar nga 774.411 udhëtarë, ose 271 më pak se në vitin 2014. Numri i udhëtarëve në hyrje, përkatësisht 365.128, vazhdon të jetë më i ulët se ai i udhëtarëve në dalje që janë 409.283 gjithësej e që përdorin portin e Durrësit drejt porteve italiane të Barit, Brindizit, Ankonës dhe Triestes.
E kundërta ndodh me autoveturat që regjistrojnë një numër më të lartë në hyrje. Kjo dhe për shkak të tregtimit të tyre në vend. Një rritje prej 3 përqind kanë shënuar kamionët me mallra.
Gjatë një viti janë transportuar mbi 744 mijë ton mallra, ose 13 mijë ton më shumë se në 2014-n. Pavarësisht kësaj, në 365 ditët e vitit 2015, tragetet realizuan 1.090 lundrime, ose 43 më pak se një vit më parë.
Top Channel