Suedia, kontrolle ndaj emigrantëve në kufirin me Danimarkën

04/01/2016 14:30

Suedia vendosi kontrollet në kufi për udhëtarët e ardhur nga Danimarka me shpresën se në këtë mënyrë do të ulë numrin e emigrantëve që hyjnë në vend.

Kushdo që përpiqet të kalojë urën Oresund me tren, autobus apo traget do të refuzohet nëse nuk ka me vete dokumentet e nevojshme të identifikimit. Përdoruesve të linjave hekurudhore që nisen drejt Suedisë tani do t’i duhet të ndryshojnë trenat në Kopenhagen e të kalojnë nëpër pikat e kontrollit të kartave të identitetit.

Në vitin 2015 Suedia mori më shumë se 150.000 kërkesa për azil dhe konsiderohet, së bashku me Gjermaninë, si një prej destinacioneve kryesore të emigrantëve në Evropë. Një trend i tillë me shumë gjasë do të vazhdojë, në një kohë kur Danimarka vetë nuk pret këtë vit më shumë se 20.000 azilkërkues. Me mijëra vetë e kalojnë çdo ditë urën Oresund që lidh qytetet suedeze të Malmos dhe Lundit me kryeqytetin danez.

Për t’i detyruar njerëzit t’i binden pa dredhuar rregullave të reja, njëra prej platformave të stacionit të trenave që ndodhet pranë aeroportit Kastrup të Kopenhagenit është rrethuar e gjitha me tela me gjemba.

Udhëtime direkte nga ky stacion drejt urës Oresund nuk do të ketë më. Operatorët hekurudhore e kanë zvogëluar numrin e udhëtimeve për në Suedi e paralajmërojnë edhe për vonesa të gjata. Ndryshimet e bëra pritet t’i shtojnë gjysmë ore udhëtimit aktualisht 40-minutësh. Në mënyrë që të vendoste kontrollet kufitare, qeveria suedeze siguroi një përjashtim të përkohshëm nga rregullat e zonës së lëvizjes së lirë të Shengenit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA