Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, në konferencën e parë të vitit 2016 treguan vendosmërinë e tyre në kundërshtim të marrëveshjeve për asociacionin dhe demarkacionin.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Caushi, ka sqaruar deklarat e kryetarit të kësaj partie Visar Ymeri, i cili në një intervistë për Top Channel ka thënë se marrëveshjet do të kundërshtohen edhe me metoda që nuk janë bërë deri tani.
“E kuptoj që kanë dalur lajme të ndryshme të nxjerrura nga konteksti nga një intervistë e kryetarit Visar Ymeri. Natyrisht që kreativiteti ka qenë i shpërfaqur në cdo protestë dhe natyrisht që metodat asnjëherë nuk janë të kufizuara dhe nuk ka asnjë arsye që kur flitet për metoda të ndryshme dhe diversifikim të metodave të ngjallet cfardo ndjenje negative lidhur me metodat e reja. Pra nuk ka asgjë të jashtëzakonshme”, thotë Driton Caushi, nënkryetar i LVV.
Caushi e vlerësoi si arrogancë mos reflektimin e qeverisë, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese se me nënshkrimin e dy marrëveshjeve, janë shkelur mbi 20 nene të kushtetutës.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj- Bujupi, në daljen e saj të parë pas ndërprerjes së masës së arrestit shtëpiak, rikonfirmoi kundërshtimin e opozitës për marrëveshjet, por edhe për qeverinë, e cila sipas saj, duhet të dorëhiqet pas shkeljes së kushtetutës.
“Ne si opozitë do të vazhdojmë të kundërshtojmë marrëveshjet dhe tani do të vazhdojmë të kundërshtojmë edhe legjitimitetin e kësaj qeverie dhe të kontestojmë legjitimitetin e tyre, sepse ata shkelën kushtetutën dhe pas kësaj shkelje, në vend se të reflektojnë dhe të tërhiqen sa më parë nga këto dy marrëveshje, ata në fakt me kokfortësi po provojnë që t’i kontrabandojnë të njejtat”, deklaron Donika Kadaj- Bujupi, deputete e AAK-së.
Përfaqësuesit opozitarë, u bënë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar më 9 janar, e cila sipas tyre do të jetë paqësore.
“Ne, po ashtu ftojmë qytetarët, pavarësisht cilës parti i takojnë apo ku kanë votuar, që më 9 janar të jenë prezent në protestën e opozitës. Qëllimi i vetëm është që t’i parandalojmë këto dy marrëveshje. Është protestë paqësore dhe të gjithë familjarë, vajza, djem të ri u bëj ftesë të na përkrahini, pasi që është dëshmuar se nuk ka të bëjë vetëm me kërkesat e opozitës”, shprehet Valdete Bajrami, deputete e Nismës për Kosovën.
Bajrami i bëri thirrje qeverisë që të dorëhiqet sa nuk është vonë dhe në këtë mënyrë të parandalohen dëmet që po i shkaktohen vendit.
Top Channel