Mbrëmjen e së dielës në Kosovë kanë ndodhur 109 aksidente rrugore, si pasojë e reshjeve të borës. 90 prej tyre kanë kaluar pa pasoja, ndërsa në 19 aksidente ka pasur persona të lënduar.
Kjo është konfirmuar për Top Channel nga zyrtari për Informim në Policinë e Kosovës, Daut Hoxha, i cili tha se ka pasur vështirësi në qarkullim edhe në rrugët e kryeqytetit, ku në 4 aksidente të veçanta janë përfshirë rreth 30 makina.
Disa prej tyre, sipas Policisë së Kosovës, kanë qenë aksidente zinxhir, ku janë përfshirë më shumë se dy automjete njëherësh.
Në një aksident në “Rrugën e Bledit”, në Prishtinë, janë përfshirë 8 makina, ndërsa në rrugët “Eqerem Çabej”, “Isa Kastrati” dhe “Gazmend Zajmi”, janë shënuar nga një aksident, ku janë përfshirë 15 makina.
Pas vlerësimit të gjendjes në këto rrugë, Policia e Kosovës ka marrë masa, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin, në mënyrë që të shmangen aksidentet e mundshme nga reshjet e borës dhe ngricat. Pas ndërhyrjes për pastrimin e borës, rrugët janë hapur për qarkullim.
Duke iu referuar kushteve atmosferike, si dhe numrit të lartë të aksidenteve, Policia e Kosovës bën apel te të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë dispozitat ligjore, t’iu përmbahen kushteve të rrugëve dhe atyre atmosferike, të zotërojnë pajisjet dimërore duke përfshirë edhe gomat e dimrit, në mënyrë që të parandalohen aksidentet dhe të ketë një siguri më të madhe në qarkullim.
“Në të kundërt, Policia e Kosovës do të marrë masa ligjore ndaj të gjithë shkelësve të ligjit”, thuhet në komunikatën e Policisë. Përmes kësaj komunikate, Policia ka njoftuar se aktualisht, të gjitha rrugët në nivel kombëtar janë të kalueshme, por me vështirësi.
Ndërsa Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se, 5 ditët e ardhshme do të jenë me mot të vranët dhe intervale të reshjeve të shiut dhe borës.
Top Channel