ISIS-i ekzekuton “spiunët” britanikë

04/01/2016 00:00

Në një video prej dhjetë minuash të gjatë, Shteti Islamik pretendon se ka vrarë 5 burra me pamje fizike me origjinë nga Lindja e Mesme, që sipas tyre janë spiunë të britanikëve.

Në këtë video propagandistike, personi kryesor që paraqitet me një veshje të ngjashme me atë të xhihadistit Xhon, të vrarë përpara dy muajsh, kërcënon Britaninë për sulme dhe kryeministrin britanik David Cameron, të cilin e cilëson si “idiot” dhe “skllav të Shtëpisë së Bardhë”.
 
Identiteti i personit që duket se zëvendëson xhihadistin Xhon nuk njihet dhe shërbimet sekrete mendohet se kanë filluar punën për identifikimin e tij përmes pamjeve dhe zërit, bashkë me identitetin e fëmijës 5-vjeçar, të cilët flasin me theks të pastër anglez.

Fëmijët shpesh paraqiten në videot propagandistike të Shtetit Islamik.

Personat të cilët pretendohet se janë spiunë të britanikëve  thonë se janë nga Raka në Siri, apo Bengazi në Libi, por asnjë nuk thotë se është britanik.

Dukshëm ata bëjnë deklarata nën një trysni të madhe dhe sipas analistëve, shumë mirë ata mund të jenë njerëz të pafajshëm.

Kjo video e Shtetit Islamik publikohet në kohën kur xhihadistët kanë pësuar humbje të mëdha ushtarake, përfshi edhe kontrollin në pjesën më të madhe të qytetit të Rakas në Siri, kryqendrës së Shtetit Islamik.

Ministria e Jashtme britanike tha se është duke shqyrtuar përmbajtjen e videos më të re të Shtetit Islamik. Avionët britanikë kanë ndërmarrë rreth dhjetë sulme ajrore ndaj objektivave të ISIS-it që nga muaji dhjetor, kur Parlamenti britanik i hapi dritën jeshile sulmeve ajrore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA