Pas një viti të ngarkuar me punë dhe ballafaqime të ashpra politike në Kuvend, krerët e institucioneve dhe partive politike në Kosovë kanë vendosur që ndërrimin e viteve ta kalojnë pranë familjeve të tyre.
Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi kanë treguar se nata e fundit e vitit 2015 do t’i gjejë në familje, ndërsa menjëherë pas festës do t’i kthehen punës në qeveri.
“Do të dëshiroja që të gjithë ne të jemi sa më unikë në vitin 2016, që të gjitha mospajtimet tona, divergjencat politike, t’i zgjidhim brenda institucioneve, duke i argumentuar qëndrimet në Kuvend. Ju siguroj se si kryeministër, së bashku me qeverinë do të punojmë në interes të qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Mustafa.
“Zakonisht, natën e Vitit të Ri e kaloj me prindërit, në gjirin familjar dhe kështu do të ndodhë edhe këtë vit. Natyrisht, urimi i parë do të vijë nga anëtarët e familjes, në mjedisin ku do të jem duke e festuar”, tha nga ana tjetër Thaçi.
Edhe tre liderët e subjekteve opozitare, ndërrimin e motmoteve do ta presin në familjet e tyre.
“Zakonisht, madje përherë, natën e Vitit të Ri e pres në shtëpi, së bashku me familjen dhe kalojmë një natë, që do ta quaja të zakonshme për familjet në Kosovë. Kjo është një kohë e rëndësishme që e kaloj me familjen time, me fëmijët e mi”, tha Visar Ymeri i Vetëvendosjes.
“Të gjitha rrugët më çojnë në Gllogjan, që do të thotë se unë, 31 dhjetorin do ta kaloj me prindërit. Nëna, babai, të gjithë mblidhemi së bashku dhe me emocione kujtojmë Shkëlzenin, Luanin dhe Enverin që nuk janë më. Edhe vëllezërit, motrat dhe fëmijët e tyre do të jenë në Gllogjan”, tha Ramush Haradinaj.
“Ne kemi një rregull të trashëguar nga prindërit dhe gjithmonë natën e parë të Vitit të Ri e presim bashkë në shtëpi. Mblidhemi tek ndonjëri nga vëllezërit. Kjo ka qenë traditë te ne, asnjëherë nuk e kemi prekur dhe kështu do të jetë edhe këtë vit. Pastaj, në natën e dytë dhe netët e tjera secili vendos se si do të vijojë”, tha Fatmir Limaj.
Menjëherë pas festës së Vitit të Ri, krerët e subjekteve politike kanë thënë se do t’i kthehen aktiviteteve të tyre për protestat e janarit, ndërsa përfaqësuesit e qeverisë kanë premtuar se do të kujdesen për të rikthyer qetësinë në vend.
Top Channel