Në 4 janar takimi për drejtësinë, PD kundër ekspertëve të nivelit të lartë

29/12/2015 00:00

Dita e katërt e 2016-s është caktuar të çelë ritualin e tryezave për reformën në drejtësi për vitin që po vjen, për të reflektuar një mendim të përbashkët mbi  ndryshimet kushtetuese pas draft raportit të Komisionit të Venecias.

Takimi i parë në të cilin do të duhej të diskutohej në nivel teknik mes ekspertëve të nivelit të lartë, në fakt nuk ka kaluar edhe aq qetë sa pritej. Përfaqësuesi i opozitë, si ekspert i nivelit të lartë, Enkelejd Alibeaj, i ka parë me rezerva reflektimet e hedhura për diskutim pas opinioneve të Komisionit të Venecias.

Sipas Alibeajt, këto qëndrime duhet të jepeshin kur të konsultoheshin të katër draftet që janë ai i LSI-së, Komisionit të Venecias, Partisë Demokratike dhe të ekspertëve të nivelit të lartë.

“U ndodhëm përpara një befasie që në tryezat e grupit të ekspertëve u hodh një draft i amendamenteve kushtetuese i përgatitur jashtë këtij grupi ekspertësh, siç duket replikuar edhe njëherë historia proceduriale e mëparshme ku një grup ekspertësh përgatisin draft amendamente sipas optikës së tyre që në këtë rast nuk është optika e të gjithëve, nuk është gjithëpërfshirëse dhe kjo është arsyeja kryesore që zgjati dy orë. Por, ajo që është më e rëndësishme është pikërisht kjo gjë, në fakt nuk është se i shërben një lloj sinqeriteti, një lloj konsensusi teknik mes teknikësh apo po të doni një lloj konsensusi politik që produkti nga ky moment e tutje, konvertimi i të gjitha rekomandimeve të Komisioni të Venecias të bëhet nga të gjithë ekspertët, të majtë dhe të djathtë. Kjo ishte befasia më e madhe që realisht nuk e prisnim. Është ajo çfarë kishim kërkuar gjithmonë, barazi mes palëve dhe tjetra, që brumi mbi të cilin të përpunohet draft amandamentet kushtetuese të jetë ky, dokumenti i Komisionit të Venecias nga paragrafi i parë deri tek paragrafi i fundit të merret në analizë të imtësishme nga të gjithë ne”, deklaroi Alibeaj.

Pak ditë më parë, në opinionin e Komisionit të Venecias u rekomandua mes të tjerash, se disa ndryshime kushtetuese  duhet të thjeshtohen e të qartësohen.

Top Channel