Maqedoni, Ahmeti pret fitore në zgjedhjet e 2016-s; harron “Kumanovën”

29/12/2015 00:00

Pas një viti të mbrapshtë për Maqedoninë, siç e quajti 2015-n kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti pret që viti 2016 të jetë i mbarë për vendin dhe qytetarët.

Drejtuesi i BDI-së, partisë shqiptare që është pjesë e qeverisë së Shkupit, është i bindur se në zgjedhjet e parakohshme të 24 prillit, subjekti që ai drejton do të fitojë përsëri mbështetjen e elektoratit shqiptar.

Duke komentuar zërat për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, Ahmeti tha se një gjë e tillë nuk është në interes të vendit.

“Nuk duhet të kontestohet dhe as të lëvizet nga kjo datë, sepse nuk i kontribuojmë stabilitetit të vendit duke luajtur me datën e zgjedhjeve”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Gjatë fjalës së mbajtur para bashkëpunëtorëve të tij, Ahmeti foli për disa nga momentet më të rënda që përshkuan vitin 2015, si kriza politike dhe skandali i përgjimeve, por nuk tha asnjë fjalë të vetme për luftimet në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj.

Për ngecjen e procesit të anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE, Ahmeti tha se kanë ndikuar problemi i pazgjidhur i emrit të Maqedonisë dhe kriza globale.

“Dikujt mund t’i duket shaka, por kriza globale sigurisht që ka pasur ndikim të pakontestueshëm në drejtim të angazhimit të miqve tanë ndërkombëtarë në zgjidhjen e çështjes së emrit”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Kreu i BDI-së u shpreh kundër formimit të shumë subjekteve politike shqiptare në Maqedoni, pasi sipas tij një gjë e tillë ndikon në përçarjen e votave. Ahmeti u zotua se do të angazhohet, që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të zhvillohen në një atmosferë demokratike.

Top Channel