Rreth 30 familje që banojnë në ish-godinën e shkollës së rezervave në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës kanë protestuar pasi sipas tyre, prona në mënyrë korruptive u është tjetërsuar dhe rrezikojnë të mbeten pa shtëpi.
Në këtë godinë, në vitin 1992 u futën 30 familje të pastreha, kryesisht të ushtarakëve dhe të ardhur nga zonat malore. Banorët tregojnë se ata nuk kanë hyrë në mënyrë arbitrare, por me një vendim të Këshillit Bashkiak të asaj kohe, me statusin e të pastrehut.
Por peripecitë për këto familje nisin në vitin 2012. Banorët tregojnë se, në mënyrë abuzive Bashkia e Shkodrës, në vitin 2012 i kërkoi Ministrisë së Ekonomisë, që ka në varësi këtë godinë, që ajo të privatizohet pasi nuk ka asnjë funksion në një kohë kur aty banojnë 30 familje.
Banorët shprehen të revoltuar se gjithçka është bërë pa djeninë e tyre dhe nëse ndërtesa do privatizohej do të duheshin që të pyeteshin, pasi u takon atyre të jenë blerësit. Në këto kushte, e gjithë godina me 30 familje brenda i ka kaluar një përsoni që ka kryer procedurat e privatizimit.
Banorët, të revoltuar, deklarojnë se procedurat janë kryer në mënyrë të fshehtë, korruptive dhe të falsifikuar nga individë dhe institucione shtetërore. Ata kërcënojnë se, në asnjë mënyrë nuk do lëshojnë banesat ku jetojnë prej 23 vitesh.
Top Channel