PD, protestë në Librazhd kundër varfërisë e shkarkimeve në administratë

28/12/2015 00:00

Shoqëria civile dhe PD kanë protestuar këtë të hënë në qytetin e Librazhdit kundër varfërisë, që sipas tyre ka pllakosur vendin. Me pankarta kundër qeverisë dhe me kërkesën për punë dhe dinjitet, protestuesit kanë kërkuar më shumë vëmendje në këto prag festash.

Deputeti i PD, Luçiano Boçi e vuri theksin tek varfëria e tejskajshme që ka pushtuar Librazhdin, ku sipas tij shumë familje nuk do të kenë mundësi të festojnë ndërrimin e viteve.

“Sepse e di shumë mirë që ky pushtet dhunën e ka simfoninë e parë të tij, atë që luan më mirë dhe më bukur. Dhe këtu në Librazhd e ka luajtur më fortë dhe pasojat i ka më të dukshme. Unë e di shumë mirë se çfarë është bërë këtu me administratën, mësuesit dhe premtimet e tjera. E di shumë mirë që ajo revoltë ekziston jo vetëm mes jush këtu, por edhe tek të tjerët në gjithë Librazhdin”, deklaroi Boçi.

Ndërsa sekretarja e degës së PD në Librazhd ka folur për “shkarkimet hakmarrëse në administratë”, ku sipas saj, profesionistët janë zëvendësuar me militantë të paaftë.

“Ky pushtet nuk pranon dot mendimin ndryshe, nuk ndjen dhembshuri kur një familjeje i heq bukën e gojës. Qytetarët e ndershëm dhe intelektualët e qytetit tonë nuk mund të jenë servilë të një pushteti të kalbur”, tha Valbona Balla.

Protesta ka vijuar me të tjerë anëtarë të PD dhe të shoqërisë civile, të cilët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mposhtin frikën dhe t’i japin një leksion me votë kësaj qeverie.

Top Channel