Dialogu i Brukselit për Kosovën ishte fiasko

27/12/2015 00:00

Albinot Maloku – Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, për Kosovën dhe rreth Kosovës, të nisura si teknike e më pas të konvertuara si politike më 19 prill të vitit 2013, prodhuan një dokument me inicialet e vendosura nga ish-kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, dhe ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të njohur për publikun si: Marrëveshja e Parë e Parimeve që Rregullon Normalizimin e Marrëdhënieve.

Kësaj marrëveshjeje i kanë paraprirë disa konkluza mes palëve, që janë konsideruar teknike, e ku janë përfshirë çështjet që drejtpërdrejt kanë prekur qytetarin. Zbatimi i këtyre konkluzave/marrëveshjeve është sfiduar, për të mos thënë se në tërësi nuk janë në zbatim as pesëdhjetë për qind prej tyre. Këtu do të përmend me theks, njohjen reciproke të diplomave universitare, kadastrën, lirinë e lëvizjes, e cila për qytetarët e Republikës së Kosovës është sfiduese qoftë teknikisht e qoftë financiarisht. Marrëveshja e fundit e arritur për sigurimin e automjeteve, të cilën ministrja Edita Tahiri e ka cilësuar si “urë lidhëse e qytetarëve, shteteve … etj.”, nuk u mundëson qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë nëpër Serbi me tabela të regjistrimit RKS. Përkundër disa arsyetimeve nga ministri Tahiri, shtetasit e Republikës së Kosovës edhe sot kur udhëtojnë me veturat e tyre me targat RKS, duhet t’i heqin me të kaluar në Serbi. Pas këtyre konkluzave/marrëveshjeve të dala nga dialogu teknik, erdhi e lartpërmendura marrëveshje e prillit me 15 pikat e saj. Nga ato 15 pika, disa prej tyre janë zbatuar, kurse disa jo. Nëse kjo marrëveshje shikohet në këtë kontekst, pa dyshim mund të themi se si e tillë është më shumë sfiduese sesa marrëveshje historike. Historike është cilësuar nga pala kosovare, por kurrë nga pala serbe, ndërsa sfiduese është për të dyja palët, më së shumti e dhembshme për shtetin dhe qytetarët tanë.
Sipas planit …

Marrëveshjes së 19 prillit i është bashkangjitur edhe një plan i zbatimit për elementet e marrëveshjes. Këtë plan nuk e ka parë syri i publikut, edhe pse kjo nuk është aq befasuese, nga se transparenca, korrektësia e njëkuptimësia kanë qenë faktorë të panjohur të bisedimeve mes, siç thuhet, palëve. Kur flasim për zbatimin e marrëveshjeve së Brukselit, ministria përkatëse për bisedime e Republikës së Kosovës sjell disa raporte mbi gjendjen e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, por ajo çka thotë letra dhe situata në teren, janë jo edhe aq në përputhje. Pavarësisht kësaj, nga 15 pikat e Marrëveshjes së Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve janë zbatuar: policia, zgjedhjet, gjyqësori, kurse pikat më nevralgjike të marrëveshjes janë ato për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kjo përveçse u konsiderua sfiduese, prodhoi konflikte politike të nivelit institucional në Kosovë. Gjykata Kushtetuese e dha fjalën e saj nëse themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe si përfundim mund të konstatohet se ishte fjalë me dy fytyra. A/BKS nuk është në përputhje me frymën kushtetuese të vendit, sepse ajo është krijesë etnike serbe aspak në frymën multietnike të Kosovës që e kemi proklamuar prej dekadash. Edhe pse u tha nga Gjykata Kushtetuese se A/BKS është pjesërisht brenda rendit kushtetues të vendit, nuk u konfirmua fakti i mirënjohur se ajo bie ndesh edhe me demokracinë, të cilën e synon vendi ynë. Disa herë është thënë se ajo nuk është integruese si krijesë, por krejtësisht izoluese për pakicën serbe dhe dezintegruese për Kosovën. Dëmin kryesor që e sjell A/BKS është se Kosova në sytë e botës do të vazhdojë të proklamohet si multietnike dhe e integruar, por kështu nuk do të jetë brenda saj. Konform kësaj, A/BKS e dalë nga dialogu i Brukselit nuk shkon sipas planit të synuar të normalizimit të raporteve Kosovë–Serbi. Ajo që është më e keqja pas fjalës së Gjykatës Kushtetuese është mungesa e përgjegjësisë nga ana e qeverisë për të reflektuar me dorëheqje pas shkeljeve kushtetuese të bëra me marrëveshjen për këtë krijesë etnike serbe brenda shtetit të Kosovës.

… Bisedimet duhet të përmbyllen

Zbatimi i marrëveshjeve/konkluzave të dala deri më tani nga bisedimet e Brukselit do të duhej të ishin prioritet edhe i Kosovës edhe i Serbisë. Zbatimi i tyre është matësi më i mirë i të arriturave. Gjithsesi, marrëveshjet/konkluzat për deri sa interpretohen me dy medalje dhe që i kanë dy qëllime është i dëmshëm për progresin e zbatimit të tyre në terren dhe dëshmi e mosrespektimit të asaj që është thënë. Si të tilla, këto marrëveshje, përveç se kanë karakter politik duhet të zbatohen edhe ligjërisht. Korrigjimet ligjore ose ndryshimet ligjoredhe kushtetuese për zbatimin janë të domosdoshme edhe për Kosovën, edhe për Serbinë, edhe pse qeveria e Kosovës, e posaçërisht ministria për dialog ka gënjyer çdo herë ku ka thënë se ligjet dhe Kushtetuta nuk do t’u përshtaten marrëveshjeve për A/BKS-në. Mbi parimin e respektimit të marrëveshjeve, Serbia dhe Kosova do të ishte e udhës që të arriturat praktike të mos i konvertonin në taktika politike, ku kjo nënkupton zbatimin e marrëveshjeve pa i dhënë hapësirë dykuptimësisë. Nisur nga kjo, të dyja palët duhet të interesohen që rregullimi i normalizimit të marrëdhënieve të konkretizohet me një synim që këtyre bisedimeve t’u vijë fundi. Kjo gjë nuk duhet të ngelet në duhet, por të kalohet në aksion, e aksionin mund ta bëjë Kosova duke kërkuar qëllim nga dialogu i pakokë i Brukselit. Përfundimi i bisedimeve, zbatimi i marrëveshjeve të arritura dhe konkludimi i një dokumenti të njohjes së ekzistimit të ndërsjellë të jetë faza finale e maratonës së bisedimeve që po zgjat me vite. Kjo gjë do t’i mbyllte gojën edhe endacakut Marko Gjuriq, edhe paramilitarit të skenës politike serbe Millovan Drecun, që nënçmojnë Kushtetutën dhe Shtetin e Kosovës në çdo rast e mundësi. E arritura duhet të respektohet dhe të mos ngarkohen qytetarët nga keqpërdorimi i tyre politik nga ana e aktorëve të politikës ditore si në Prishtinë e si në Beograd. Përfundimisht, vazhdimi i një dialogu, ku të arriturat e tij në letër po sfidohen e nuk po zbatohen, është i kotë fund e krye dhe do të ishte e udhës që shteti i Kosovës ta ketë një qëndrim të prerë në lidhje me të. Dialoguesit nga pala kosovare kanë dështuar dhe do të duhej ta pranonin, mirëpo shteti i Kosovës nuk guxon të dështojë si pasojë e dialoguesve dhe qeverisë dështake, nga se qeveritë e dialoguesit shkojnë e vijnë, kurse Republika e Kosovës do të jetë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA