Reforma në drejtësi, takim Rama-Meta: Të finalizojmë procesin

26/12/2015 17:00

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta kanë zhvilluar këtë të shtunë një takim kokë më kokë, në fokus të të cilit ka qenë reforma në drejtësi.

Në përfundim të takimit, kryeministri Rama ka deklaruar se, qëllimi i klasës politike pas aprovimit të raportit të Komisionit të Venecias është çuarja përpara e kësaj reforme.

“Pa diskutim, një ndër objektivat kryesorë është çuarja përpara e reformës në drejtësi dhe ndamë me njëri-tjetrin kënaqësinë që trenit të reformës iu bashkua edhe Partia Demokratike”, ka deklaruar Rama.

Madje, është shprehur ai, unë jam veçanërisht i kënaqur sepse kaluan shumë kohë duke pritur që të ndahej treni, “ndërsa tani hipën vetë në tren dhe ky është një lajm shumë i mirë i fundvitit”.

Sipas shefit të qeverisë, vlen të përshëndetet fakti se, raporti i Komisionit të Venecias i gjen të gjithë të kënaqur.

“Tani duhet ta finalizojmë këtë proces, mbi një bazë shumë solide që është raporti i Komisionit të Venecias, duke shfrytëzuar eksperiencën e shkëlqyer të një procesi jashtëzakonisht gjithpërfshirës, të thellë dhe cilësor që ka marrë rreth një vit, duke marrë të gjithë së bashku përgjegjësinë e madhe që t’i japim vendit, më në fund, reformën e shumë pritur dhe shumëdëshiruar prej kaq shumë vjetësh”, ka thënë Rama për mediat.

I pyetur nëse e gjitha kjo mund të realizohet në pranverën e vitit të ardhshëm, ai është përgjigjur: “Me siguri që po”.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, duke iu përgjigjur interesit të mediave mbi propozimin e PD, që për reformën në drejtësi të ndiqet e njëjta procedurë si ajo që u ndoq për dekriminalizimin, ka deklaruar:

“Unë besoj se në radhë të parë duhet të vlerësojmë punën e madhe që është bërë deri tani, ku ka patur një proces gjithëpërfshirës nga të gjitha forcat politike, përfshirë edhe opozitën, e cila kontribuoi me propozimet e saj”.

Në mënyrë të veçantë, kreu i LSI ka falënderuar ekspertët vendas e ndërkombëtarë për punën dhe angazhimin e tyre. Më tej, Meta ka vlerësuar faktin që mazhoranca dhe opozita janë të kënaqura me vlerësimet e Komisionit të Venecias, gjë që sipas tij tregon se reforma në drejtësi mund të realizohet shumë shpejt.

“Absolutisht, fakti që të gjithë aktorët politikë, mazhoranca dhe opozita, janë të kënaqur me vlerësimit e këtij komisioni, tregon që e gjithë puna jonë për të ecur më shpejt, me qëllim kurorëzimin e kësaj reforme, përsa i takon ndryshimeve kushtetuese në pranverë, është plotësisht e realizueshme”, ka thënë Meta.

“Natyrisht që në këtë mënyrë ne do të japim një përgjigje mjaft të rëndësishme dhe mjaft pozitive për gjithë qytetarët tanë, të cilët kërkojnë që në vitin 2016 të jetojnë në një vend më të drejtë, më të sigurt dhe në një shtet sa më ligjor”, ka shtuar ai. 

Top Channel