Krishtlindja, mijëra katolikë ndjekin meshën në Katedralen e Shën Palit

25/12/2015 00:05

Të krishterët në mbarë botën festojnë Krishtlindjen. 25 dhjetori është dita më e shënuar e këtij besimi, lindja e birit të Perëndisë.

Me mijëra besimtarë të krishterë u mblodhën në mesnatë në Katedralen e “Shën Palit” në kryeqytet, për të kremtuar momentin e rëndësishëm të kalendarit kristian. Kjo është Krishtlindja e parë që Meshën e shenjtë nuk po e drejton i ndjeri Imzor Rrok Mirdita, i cili ndërroi jetë pak javë më parë.

Mesha e shenjtë e Krishtlindjes po drejtohet për herë të parë nga Imzot George Frendo, i cili uroi më shumë paqe, mirësi dhe dashuri me njëri-tjetrin. Në mesazhin e tij ai kujtoi edhe Meshën e parë të Krishtlindjes postkomuniste.

“Para disa ditësh në Shkodër u kremtua përvjetori i 25-t i Meshës së parë pas regjimit komunist. Vërtet në atë kohë komunizmi nuk kishte vdekur, por ishte në agoni dhe sonte në këtë orë të çuditshme një numër shumë i madh besimtarësh bashkohet këtu në këtë tempull përball monumentit të ndërtuar nga profetët e vrasjes së zotit. Ata që deshën ta vrisnin zotin. Kemi ardhur këtu për ta kremtuar lindjen e Krishtit, një ngjarje historike. Këtu, në secilin prej nesh. Jezusi do të lindë në zemrat tona”, tha Imzot George Frendo.

Më herët besimtarët katolikë i uroi Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore dhe njëherësh Arqipeshkv i Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Anxhelo Masafra.

Ai tha se kjo është koha kur duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje dinjitetit njerëzor. “Urimi që ju drejtoj të gjithëve, është që ta jetojmë këtë festë si rast të volitshëm për të rizbuluar dinjitetin tonë, si krijesa të dashura prej krijuesit dhe për t’i kthyer të njëjtin dinjitet të afërmit tonë. T’i kushtojmë më shumë vëmendje dinjitetit njerëzor, sepse nëse Hyji na ka kthyer dinjitetin tonë, edhe ne duhet ta vlerësojmë dinjitetin e të afërmve tanë. Kjo do të thotë që të punojmë për të zhdukur padrejtësitë e çfarëdolloji, të bëjmë çdo përpjekje për të pakësuar varfërinë materiale dhe sidomos atë kulturore. Të dimë të kërkojmë falje dhe të falim fyerjet e pësuara. Vetëm kështu do të vlerësojmë dinjitetin tonë dhe atë të të tjerëve”, ishte mesazhi  i Presidentit të Konferencës Ipeshkvnore dhe njëherësh Arqipeshkv i Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Anxhelo Masafra drejtuar besimtarëve.

Krishtlindja ka si simbolikë të pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe familjen e bashkuar. Krishtlindja është festa, në të cilën të krishterët urojnë, më shumë se kurrë, paqe e dashuri në botë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA