Xhafaj: “Venecia” nuk e rrëzoi draftin. Bëri sugjerime, që po i reflektojmë

24/12/2015 14:00

Mirësevini në trenin e reformës në drejtësi. Ky është treni i drejtësisë për qytetarët dhe jo i drejtësisë për politikanët dhe zyrtarët. Ky është treni i drejtësisë, ku të gjithë duhet të ulemi dhe të sillemi, të respektohemi dhe të ndëshkohemi si të barabartë para ligjit. Kush e pranon këtë udhëtim si të tillë, është i mirëpritur të zërë vendin që i përket. Këtu ka vend për të gjithë.

Me gjithë qëndrimet e opozitës për draftin e hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë, kryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi u ka uruar kundërshtarëve politikë mirëseardhjen në procesin e nisur një vit më parë, dhe ku është kryer pjesa më e madhe e punës.

Baza më e mirë e bashkëpunimit janë rekomandimet e Komisionit të Venecias, tha Fatmir Xhafaj, që u shfaq tejet i kënaqur me përgjigjen, që ky organizëm ndërkombëtar i ka kthyer draftit për ndryshimet kushtetuese, ku nuk është rrëzuar asnjë amendament.

“Sfidoj cilindo, që del e thotë se Komisioni i Venecias ka rrëzuar ndonjë nga nenet e dërguara për opinion zyrtar ndaj projektit kushtetues. Absolutisht po, ka sugjerime për ta bërë më të mirë këtë projekt kushtetues, e ne do ta ndjekim me përkushtim të plotë politik dhe profesional rrugën e sugjeruar për përfundimin e punës kolosale që është bërë deri këtu”, tha kreu i Komisionit të Ligjeve.

Fatmir Xhafaj, i cili u shfaq tejet i inkurajuar nga mbështetja që Komisioni i Venecias i ka dhënë draftit, lexoi një nga një të gjitha qëndrimet aprovuese të organizmit ndërkombëtar, që nga roli formal i Presidentit të Republikës në zgjedhjen e gjyqtarëve.

“Të bashkohen me opinionin e Komisionit të Venecias në mbështetje të projektit tonë kushtetues, lidhur me kompetencën e Gjykatës Kushtetuese për të mos kontrolluar kushtetutshmërinë e amendamenteve kushtetuese, që aq shumë i ranë si një herezi të madhe. Sot të paktën në mos kërkofshin falje, duhet të heshtin, me faktin që opinioni zyrtar i Komisionit të Venecias iu dha të drejtë ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë në projektin e tyre, duke e konsideruar një standard normal dhe një zgjidhje të pranueshme. Ne jemi të kënaqur dhe vlerësojmë dhe i mirëpresim të gjithë të bashkohen rreth mbështetjes që i ka dhënë Komisioni i Venecias riorganizimit të Gjykatës së Lartë, riformatimit të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, nevojës për ngritjen e disa institucioneve kushtetuese, si Këshilli për Emërimin, Tribunali Disiplinor, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokurorisë së posaçme Antikorrupsion. Të gjitha këto i ka mbështetur raporti i Komisionit të Venecias. Ka mbështetur fort procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Raporti i Komisionit të Venecias thotë se ky është një proces i domosdoshëm që duhet kryer në drejtësinë shqiptare”, theksoi më tej Xhafaj.

Komisioni i Venecias i ka thënë gjithashtu “Po” rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, – tha Xhafaj, – duke u ndalur veçanërisht në këtë pikë të anatemuar fort.

“Ka dhe do të ketë për sa kohë që preken interesa nga kjo reformë, ndaj dhe është një reformë e thellë, e fortë, pikërisht sepse prek interesat. Kjo mua më bën të qetë”, shtoi Xhafaj.

Fatmir Xhafaj nuk ka dhënë afate se kur pritet miratimi i reformës në drejtësi, por i vetëdijshëm për ç’kanë nevojë më shumë shqiptarët, urimi i tij për fundvit ka shkuar pikërisht në këtë drejtim.

“Qoftë 2016-a viti i drejtësisë për qytetarët shqiptarë”, uroi Fatmir Xhafaj.

Top Channel